Protesta të dhunshme në Serbi-Plagosen 30 policë, arrestohen dhjetëra protestues në Beograd
Rreth 38 protestues u arrestuan ndërsa 30 policë u plagosën, dy prej tyre në gjendje të rëndë, gjatë trazirave të mbrëmjes së të dielës në Beograd. Sipas Drejtorit të Policisë Ivica Ivkoviç, ky numër pritet të rritet.
Ndërsa autoritetet përgjegjëse vijojnë aksionin për arrestimin e të gjithë atyre që shkaktuar trazira para Kuvendit të Beogradit. Qindra banorë të kryeqytetit serb u përpoqën të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Bashkisë së Beogradit pasi protestuan kundër rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme dhe lokale që u zhvilluan fundjavën e kaluar.
Protesta u organizua nga koalicioni Serbia kundër dhunës, i cili pretendon se zgjedhjet ishin të parregullta. Protestuesit thyen gardhet e sigurisë të vendosura nga policia, ndërsa shkatërruan dyert dhe dritaret e godinës në tentativë për të hyrë në ndërtesë.
Pas protestave në Beograd, të cilat përfunduan me reagimin e dhunshëm të policisë, opozita në Serbi akuzoi presidentin Aleksandër Vuçiç se dërgoi huliganët që provokuan dhunën. Ndërsa kreu i shtetit në një deklaratë pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, akuzoi opozitën se tentoi të merrte me dhunë institucionet e Serbisë.
Më herët kryetari në detyrë i Bashkisë së Beogradit, Aleksandër Sapiç tha se dëmtimi i objektit të Kuvendit është i pariparueshëm. Ai vuri në dukje se ndërtesa mbrohet nga shteti, pasi është ndërtuar në vitin 1881 dhe ka objekte origjinale të shekullit të 19-të.