Protestuesit bllokojnë parlamentin e Izraelit, kërkojnë dorëheqjen e Netanjahut
Dhjetëra protestues bllokuan të hënën parlamentin e Izraelit në Jerusalem, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja.
Gazetat vendase, “Haaretz” dhe “Times of Israel”, raportojnë se kritikat iu drejtuan kryeministrit Benjamin Netanjahu, se nuk arriti të tregojë më të mirën në konfliktin luftarak me palestinezët e Hamasit dhe se “i braktisi pengjet”.
“Nuk mundet që pas 15 vjetësh qeverisje të biem në këtë fatkeqësi dhe qeveria të vazhdojë të jetë në pushtet. Kjo qeveri nuk funksionon dhe kontrollohet nga ekstremistët,” tha një tjetër protestues.
Sipas organizatorëve të protestës, qeveria izraelite ka dëmtuar reputacionin ndërkombëtar të vendit.
“Ne kemi ardhur në Knesset [parlament] për të kërkuar zgjedhje të menjëhershme, zëvendësimin e qeverisë dhe dëbimin e ekstremistëve,” thuhet në deklaratën e tyre.
Një pjesë e izraelitëve kritikojnë kryeministrin Netanjahu për sulmin e 7 tetorit. Ata qortojnë edhe retorikën e ministrit të Sigurisë, Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të Financave, Bezalel Smotriç (o. Smotrich), aleatët e Netanjahut nga Fronti Kombëtar i Hebrenjve dhe Bashkimi Kombëtar-Tkuma, përkatësisht nga ekstremi i djathtë.
Një sondazh i gazetës “Maariv” i kryer pas sulmeve të 7 tetorit tregoi se të paktën 49% e izraelitëve duan që udhëheqësi i partisë së Unitetit Kombëtar, Beni Ganc (o. Benny Gantz) të marrë përsipër rolin e kryeministrit dhe vetëm 28% mbështesin Netanjahun. /ANSA