PS dhe PD mbështesin pr/rezolutën për Greqinë: Të hiqet ligji i luftës me Shqipërinë!
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur të martën dakordësi për pr/rezolutën ndaj Greqisë e propozuar nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim”.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, u shpreh se, “qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe”.
Projektrezoluta iu propozua Kuvendit nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim”. Me anë të kësaj pr/rezolute i kërkohet Këshillit të Ministrave të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës nga Greqia dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
Kreu i këtij grupi, Shpëtim Idrizi, u shpreh para disa ditësh në një konferencë për shtyp në sallën e konferencave në Kryesinë e Kuvendit se, “pr/rezoluta i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë NATO dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështjeje të bartur nga e kaluara”.
Konferenca e Kryetarëve diskutoi për ta futur pr/ligjin në rendin e ditën në seancat parlamentare.
Kuvendit i kërkohet që t’i bëjë një ftesë parlamentit grek që ta fusë heqjen e ligjit në diskutimet e tyre parlamentare.
Gjithashtu i kërkohet edhe Këshillit të Ministrave që ta ketë në fokus këtë çështje.