PS miraton nisjen e hetimit parlamentar për kontratat në shëndetësi, kalojnë edhe kërkesat e opozitës
Anëtarët e shumicës parlamentare në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check up në Shëndetësi, vijuan mbledhjen, e cila më herët ishte deklaruar e mbyllur në mënyrë të njëanshme nga kryetarja, Albana Vokshi dhe pa vendim të ndërmjetëm.
Anëtarët e shumicës, në vijim të mbledhjes miratuan me 8 vota pro nisjen e hetimit parlamentar, si dhe miratuan kërkesat për marrjen e provave drejtuar institucioneve sipas kërkesave të opozitës dhe shumicës parlamentare.
Propozimi, për fillimin e hetimeve ishte parashtruar vazhdimisht gjatë mbledhjes së sotme prej anëtarëve të shumicës në komisionin parlamentar, por u refuzua nga kryetarja, Albana Vokshi dhe anëtarët e tjerë të opozitës.
Përplasjet mes shumicës dhe opozitës në komision
Gjatë ditës së sotme nisi me debate mbledhja e Komisionit hetimor për Sterilizimin dhe Check-up. Shkak i debatit në mbledhjen u bë rendi i ditës, ku, sipas opozitës, duhet fillimisht të mblidhen provat dhe faktet e më pas të miratohej plani hetimor.
Por nga ana e saj, shumica pretendoi se për aq kohë sa ekspertët kanë depozituar planin paraprak hetimor, të dhënat paraprake janë mbledhur më herët.
“Më vjen keq që keni ardhur për të mos hetuar dhe për të penguar hetimin parlamentar. E keni treguar edhe në komunikimin me nënkryetarin dhe kryetarin e komisionit. As më frikësoni, as më kërcënoni, as më impresiononi. Do ndjek procedurat parlamentare dhe do zbatoj ligjin. Miratimi i planit fillon në momentin që janë mbledhur faktet dhe provat që mblidhen pasi merren informacionet e kërkuara nga institucione apo kompani, apo palët që kemi vendosur të adresojmë kërkesat për informacion. Kemi një objekt të komisionit, kemi bërë planin paraprak, si do hetohet sipas kërkesës që ka bërë opozita dy koncesionet sterilizim dhe Check-up. Pasi vijnë kërkesat për informacion kalojmë planin. Ju keni depozituar plan tjetër do e lexojmë, dhe e kemi vënë si pikë të dytë të rendit të ditës. Meqenëse një muaj ose keni bojkotuar ose keni penguar, sot ta nisim mbarë. Ke vepruar në mënyrë të turpshme Petro, Kujdes në këtë komision, mos e ngri zërin”, deklaroi Vokshi e cila pretendon se shumica frikësohet nga mbledhja e informacioneve.
Ndërsa deputetja socialiste, Edona Bilali theksoi se pika 1 e nenit 15 është përmbyllur, për sa kohë ekspertët e komisionit, të dyja palëve politike, kanë depozituar planin paraprak të hetimit.
“U lexua disa herë, neni 15 është diskutimi, ndahemi në mënyrën si interpretojmë ligjin. Mua nuk më vjen zor? Pika 1 është e përmbyllur. këto ekspertë që zgjodhëm mbi çfarë informacionesh ndërtuan planin paraprak? Është mbledhur, është përmbyllur pika 1 e nenit 15. S’mund të bëhet plani i hetimit pa u mbledhur të dhënat. Ju e keni depozituar. Të nisim nga hetimi. Në momentin që do zbatoni rendin e ditës, jo me marifete siç e ndryshoni listën e rendit të ditës”, u shpreh Bilali.
Përplasje ka pasur edhe mes deputetit socialist, Petro Koçi me kryetaren e komisionit, Albana Vokshi.
Koçi ka akuzuar opozitën se po kërkon t’u bëjë shantazh kompanive për t’iu vendosur gjoba, akuzë ndaj së cilës Vokshi u kundërpërgjigj duke akuzuar shumicën se po kërkon të mbrojë, sipas saj, “abuzimin kriminal”.
“Koncesionet kanë filluar me qeverinë tuaj. Keni frikë nga informacionet. Po kërkoni të mbroni abuzimin kriminal. Këto dy koncesione kanë ndikuar në shëndetit dhe jetën e qytetarëve”, tha Vokshi.