PS prezanton ndryshimet ligjore për komisionet hetimore, Felaj: Janë analizuar të gjitha praktikat më të mira ligjore

Felaj

Felaj

 Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja socialiste Ermonela Felaj prezantoi sot nismën ligjore të socialistëve për Komisionet Hetimore.

Në një konferencë për shtyp, Felaj theksoi se, i është bërë thirrje opozitës t’i bashkohej punës së rishikimit të ligjit për Komisionet Hetimore, por opozita nuk ka dërguar përfaqësues.

“Ne jemi përpjekur përgjatë këtyre muajve të sjellim një produkt të plotë pune, i cili reflekton në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me çështjen e Komisioneve Hetimore. Nga ana tjetër jemi përpjekur që të analizojmë të gjitha praktikat më të mira ligjore dhe jo vetëm, sa i takon Komisioneve Hetimore në vendet e BE”, tha Felaj.

Felaj u shpreh se, “ligji për Komisionet Hetimore është një ligj i përpara 21 viteve dhe në momentin e parë që ky ligj u hartua dhe u miratua më pas në Kuvend është marrë për model ligji gjerman”.

Sipas saj, “edhe pse ligji për Komisionet Hetimore nuk është gjetur si një ligj antikushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese, praktika e punës së komisioneve hetimore në Kuvend ka shkaktuar vijimisht debat, pra edhe në rastin që është pranuar ngritja e këtyre komisioneve hetimore. Debat ka pasur në momentin e parë të formulimit të objektit, në momentin që është deklaruar fillimi i hetimeve dhe deri në përfundim të tyre vazhdimisht ka pasur situata të ngarkuara, të cilat kohë pas kohe kanë vënë në ngërç punën e komisioneve hetimore”.

Nga ana tjetër, shtoi Felaj, “asnjë komision hetimor nuk ka rezultuar që ta përfundonte punë me një raport të përbashkët, por secila palë ka pasur raportin e vetë dhe rëndom në fakt nuk është që këto komisione hetimore i kanë shërbyer qëllimit për të cilin flet Kushtetuta, flet Gjykata Kushtetuese, flet dhe ligji i veçantë për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, ai i trajtimit të çështjeve me rëndësi të veçantë publike dhe shtetërore”.

Sigurisht që nuk mund të pretendojmë që të ndërtojmë, një listë shteruese të këtyre çështjeve, nënvizoi Felaj, por, ato çmohen rast pas rasti, por që nga këtu kuptoni që duhet të jenë çështje të cilat të implikojnë një interes të gjerë të shoqërisë, për të kuptuar sesi ka funksionuar një ligj, si ka ndodhur një fenomen, që legjislatori, duke i qëndruar natyrës së tij dhe natyra e tij lidhet me të bërit ligj dhe të vendosur ligj dhe jo të dalë jashtë kësaj natyre dhe jashtë këtij funksioni, ne kemi inkorporuar në përmbajtjen e ligjit të Komisionit Hetimor pikërisht këto ndryshime që ta mundësojnë këtë gjë për Kuvendin.

Në këtë kontekst ajo u shpreh se, “është shumë e rëndësishme që Kuvendi, si një ndër pushtetet kryesore të garantojë në fakt që sistemi i demokracisë tek ne, ai që afirmohet edhe në Kushtetutë të mund të konsiderojë në vijimësi, në mënyrë të pandarë dhe nga çdo aktor respektimin e paritmit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe parimeve të tjera dhe standardeve të tjera kushtetuese. Për to është folur gjatë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por në ligj këto nuk janë nominuar, nuk janë shprehur, nuk janë parashikuar ato mekanizma që do të siguronin respektimin e këtyre parimeve dhe për rrjedhojë puna e komisioneve hetimore në shumicën dërrmuese të rasteve ka dalë jashtë kornizës kushtetuese, duke bërë që organi i Kuvendit të tentojë të shndërrohet në një organ të superkontrollit, gjë që Gjykata Kushtetuese e ka nënvizuar me shqetësim”.

“Kuvendi është një pushtet si çdo pushtet tjetër dhe nuk ka asnjë organ që të ketë epërsi ndaj një organi tjetër. Këtë shpreh Kushtetuta jonë në thelbin e saj. Këtë janë munduar të konfirmojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në disa raste dhe këtë jemi përpjekur ne në fakt nëpërmjet ndryshimeve të analizuara me shumë kujdes të implementojmë në ndryshimet për ligjin e komisioneve hetimore”, theksoi Felaj.

E pyetur se si zgjidhet nga këto ndryshime, zgjerimi i hetimit të çështjes që do hetohet apo dhe mbivendosja mbi sistemin e drejtësisë, Felaj tha se, “hetimi parlamentar do të duhet të mbetet i tillë, një hetim parlamentar, ai nuk mund të njehsohet në një hetim penal, sepse prokuroria dhe gjykatat janë organet që Kushtetuta i ngarkon me detyrën e kryerjes së hetimit penal. Prokuroria është organ i cili ka ekskluzivitetin e ushtrimit të ndjekjes penale dhe ngritjes së akuzës në emër të Republikës. Dhe këtë lloj ekskluziviteti nuk mundet kurrsesi që ta marrë Kuvendi apo çdo lloj organi tjetër”.përfundoi N/Kryetarja e Kuvendit, Felaj.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.