PS propozon projektligj të ri për armët, PD: U ndryshua dy muaj më parë, çfarë është kaq urgjente?
Me votat e Partisë Socialiste, projektligji për tregtimin e armëve u fut me procedurë të përshpejtuar, për t’u shqyrtuar në seancë plenare më 25 korrik. Kërkesa e Këshillit të Ministrave kaloi pavarësisht kundërshtimeve nga opozita.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, kërkoi sqarime se çfarë ka urgjente projektligji, kur dy muaj më parë ligji për armët u ndryshua me kërkesë të një operatori.
“Një operator që merrej me shpërndarjen e armëve kërkoi të futeshin 2 armë dhe u ndryshua vetëm para dy muajsh vetëm për këtë. Çfarë është kaq urgjente për ligjin e armëve që nuk u ndryshua dot? Pse qeveria para 2 muajsh kur e kaloi në komision nuk e bëri këtë ndryshim? A e kuptoni që u mblodh parlamenti vetëm, se një ofrues kërkoi të futeshin dy municione të tjera? Si mundet të ndodhë kjo? Ky është ligj që ka shumë debat, prek shumë interesa. Përfshirja në ligjin e armëve të dy municioneve me kërkesë të një operatori ka qenë absurde dhe unë nuk kuptoj dot pse duhet të ndryshojë ky ligj. Cila është arsyeja që ligji i armëve brenda dy muajve ndryshon 2 herë”, tha Tabaku.
Në sqarimin e saj, kryesuesja e Kuvendit, Ermonela Felaj, kërkoi të mos ngatërrohet ligji për armët me projektligjin e propozuar.
“Kam përshtypjen se jemi keqkuptuar. Nuk bëhet fjalë për ndryshime në ligjin për armët. Ky është një ligj i ri, një projekt i ri ‘Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake’. Pra nuk ka të bëjë me ligjin për armët,” u shpreh Felaj.
Në përgjigje të Tabakut, socialisti Toni Gogu tha se opozita do të ketë mundësi ta diskutojë projektligjin në komision.
“Është në diskrecionin e Këshillit të Ministrave t’i kërkojë Kuvendit një procedurë të përshpejtuar. Ka sjellë një projektligj të ri, keni kohë ta diskutoni në komisione, sot ne vendosim dhe Kuvendi ka diskrecionin të vendosë. Ne na mbetet ta votojmë”, u shpreh ai.
Projektligji do të diskutohet në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.