PS rikthehet në komisionin e TIMS, Gogu: Vullnet për të hetuar. Salianji: S’e bllokoni dot punën
Komisioni Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS është rimbledhur këtë të hënë (19 prill), ku prezentë kanë qenë edhe anëtarët e mazhorancës, të cilët bojkotuan mbledhjen e fundit më 15 prill.
Nënkryetari i komisionit Toni Gogu rikonfirmoi qëndrimin e mazhorancës për të kryer një hetim të plotë konform ligjit e larg retorikës politike.
“Për të treguar vullnetin tonë të palëkundur për të hetuar, kursyem retorikat politike dhe gjithë kohën e vumë në dispozicion të veprimeve proceduriale. Kaq ishte e gjitha, Ervin”, deklaroi Gogu.
Kryetari Ervin Salianji tha se puna e këtij komisioni nuk mund të bllokohet dhe se kur ka vullnet politik puna e komisionin bëhet në bazë të ligjshmërisë.
“Nëse ka vullnet po, puna e çdo komisioni ecën në shinat e kushtetutshmërisë. Ua thash që do jemi prapë këtu, ky komision është i vështirë të bllokohet. Ja ku kaluan kërkesat informacion,. Shpresoj të mos kemi të njëjtat sherre lidhur me planin e hetimit dhe dëshmitaret. Çdo kërkesë e juaj do pranohet”, tha Salianji.
Gjatë mbledhjes së sotme anëtarët e komisionit ranë dakord të miratojnë kërkesat e ekspertëve Dritan Jahaj, Vjosa Bodo Mujo, Kreshnik Myftari dhe Henri Bici për të mbledhur informacion në mënyrë që më pas të vijohet me planin hetimor.
Kërkesat për informacion do i dërgohen Besnik Dervishit, komision për të Drejtën E Informimit Dhe Mbrojtjen E Të Dhënave Personale, Taulant Ballës, ministër i Brendshëm, Muhamet Rrumbullakut, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreut të SPAK Altin Dumanit dhe institucioneve të tjera informacionet nga të cilët i shërbejnë hetimit parlamentar.
Në mbledhjen e kaluar PS bojkotoi komisionin, me argumentin se kryetari i saj po shkel ligjin, duke nxitur dhe përplase politike mes opozitës dhe mazhorancës.