PS tërhiqet nga Aministia Penale, votohet sot Marrëveshja për emigrantët dhe Zonat e Mbrojtura
Partia Socialiste ka tërhequr projektligjin për Amnistinë Penale. Sipas burimeve për RTSH, mësohet se socialistët nuk do e kalojnë sot (22 shkurt) për votim projektligjin, ndonëse ishte vendosur në rend dite ne seancën plenare.
Projektligji, kërkonte 84 vota, por Partia Socialiste nuk i ka, dhe në këto rrethana, është tërhequr duke I lënë kohë demokratëve, të ndarë në qëndrime, që të bëjnë propozimet e tyre.
Një ditë më parë, kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi se nuk do të ishte pjesë e seancës nëse nuk merreshin në konsideratë propozimet e opozitës për projektligjin.
Nga na tjetër, Rithemelimi ka paralajmëruar se do të vijojë aksionin opozitar në Kuvend, duke mos lejuar zhvillimin normal të seancës.
Demokratët kanë akuzuar qeverinë se me anë të këtij pr.ligji favorizohen zyrtarët e korruptuar, akuza këto të cilat janë hedhur poshtë nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Sakaq, në seancën e sotme plenare, do të votohet Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët dhe pr.ligji për Zonat e Mbrojtura.
Marrëveshja për emigrantët u nënshkrua më 6 nëntor 2023 mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Georgia Meloni për krijimin në Shqipëri të strukturave për pritjen e deri 3 mijë emigrantëve që shpëtohen në det.
Marrëveshja, mbetet në fuqi për 5 vjet dhe rinovohet në heshtje për një periudhë të mëtejshme prej 5 vjetësh, përveç rasteve kur njëra nga dy palët kundërshton rinovimin dhe duhet të lajmërojë të paktën gjashtë muaj.
Sa i përket projektligjit për Zonat e Mbrojtura, organizatat kryesore mjedisore shqiptare kanë lajmëruar protestë me anë të së cilës kërkojnë kundërshtimin e këtij ligji.