Pse nuk mbeteni shtatzënë? Gjinekologia zbulon arsyet që çojnë në aborte dhe anomali te fetusi
Gjithnjë e më shumë çiftet e reja po luftojnë për të pasur një shtatzëni, ndërsa shtimi i aborteve spontane po ndodh gjithnjë e më tepër. Po cilat janë shkaqet që çiftet nuk po arrijnë dot të sjellin në jetë një fëmijë? Për gjinekologen Dr. Mimoza Keta arsyet janë të shumta që ndikojnë negativisht në pasjen e një shtatzënie që nga infeksionet vaginale deri tek disa baktere të rrezikshëm që shpesh vajzat dhe gratë nuk i dinë që i kanë në trupin e tyre.
Në “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, gjinekologia Keta tha se çiftet para se të vendosin të konceptojnë një shtatzëni, duhet që fillimisht të këshillohen me gjinekologun, ku duhet të bëjnë një serë ekzaminimesh për të parë nëse shëndeti riprodhues i çifti është i duhur, por edhe analiza të tjera që do të sigurojnë që procesi i shtatzënisë të jetë i mirë.
“Nëse do të flasim për infertilitetin, normalisht themi që në çift të konceptojnë një shtatzëni duhet një kohë e caktuar. Një çift mund të quhet infantil atëherë kur ai ka rreth 1 vit raporte seksuale të rregullta dhe kjo nuk ndodh, kjo e bën që të drejtohen te mjekët. Parapërgatitja për shtatzëni, mjekët i thonë këshillim para konceptimit, ku para se të nisësh një shtatzëni duhen bërë një sërë analizash ku vlerësohen shëndeti riprodhues i nënës dhe babait. Çifti duhet të kontaktojë patjetër me gjinekologë. Konceptimi në obstetrikë-gjinekologji është që mos kemi aborte dhe shtatzëni të tjera të mbetur përgjysmë, që mund të ndodh shpesh herë te çiftet. Prandaj duhet këshillimi. Zonjat kanë shumë ekzaminime për të bërë krahasuar me meshkujt. Duhet parë së pari gjendja e qafës së mitrës, sekrecioneve vaginale pra kultura e tyre pasi infeksioni ngordh spermatozoidet. Bëhen analiza për infeksionet që shkaktojnë dëmtime në ecurinë e shtatzënisë ureaplazma dhe mykoplazma. Analizat e gjakut dhe check up i përgjithshëm i trupit për të parë si funksionojnë organet kryesore të trupit. Yndyrat janë gjithashtu pjesë e analizave, pikat e vogla të yndyrave mund të bllokojnë gjakun që ushqejnë bebin dhe në këtë rast mund të ndodh ndërprerja e shtatzënisë. Kur aborti ndodh padashje kërkohet një analizë specifike për koagulimin e gjakut”, tha gjinekologia Keta.
Gjinekologia ka një thirrje edhe për vajzat dhe gratë që dëshirojnë të kenë një shtatzëni, ku nuk duhet të prekin kafshë me dorë por të tregojë kujdes edhe me ushqimin sidomos për mishin e pagatuar plotësisht. Kjo, thotë gjinekologia, ndodh për shkak se transportohet një bakter i rrezikshëm që sjellë abort apo anomali te fetusi.
“Të gjithë kemi prekur me dore një qen apo mace, kemi ngrenë një mish në zgarë jo i pjekur siç duhet dhe në këtë rast në organizmin e gruas mund të ndodh që të futet një bakter që quhet toksoplazma. Ky bakter qëndron i qetë në organizmin e gruas dhe nuk e kupton, por kur ndodh shtatzënia dhe nuk bën këtë ekzaminim ky bakter merr një mbi-rritje dhe shtohet dhe mund të sjellë problematika që nga anomalitë te fëmija, abort deri tek plasja e ujerave ara kohe”, tha ajo.