Publikohet kalendari për aplikimin dhe regjistrimin në Universitete për vitin akademik 2024-2025

Është publikuar këtë të shtunë (6 korrik) kalendari i procedurave për aplikimin në universitete për vitin akademik 2024-2025. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U Albania”.
Sipas kalendarit të publikuar, faza e parë, pagesa e tarifave, nis më 15 korrik dhe mbaron në 29 korrik.
Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania.

Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 29 korrik 2024, në portalin U-Albania.
Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 30 korrik-4 gusht. Në këtë periudhë gjashtë ditore, maturantët zgjedhin 10 programe studimi. Më 28 gusht është faza e ankimimit.
Më 30 gusht-13 shtator është faza e regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa do të ketë publikim real të renditjes dhe në fund faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje prej dy ditësh nga 14-15 shtator.
/rtsh.al/