Lorena Pullumbi, asistentpërfaqësuese e FAO-s në Shqipëri, u shpreh se “qëndrueshmëria në bujqësi nuk është më zgjedhje, por është mënyra për të mbijetuar dhe për të përparuar”.
E pranishme në Panairin e Bujqësisë në Lushnjë, Pullumbi tha se “kjo është një nga zonat më prodhuese të Shqipërisë, fermerët përballen çdo ditë me sfida të reja, nga pasiguritë e tregut deri te ndikimet e klimës që po bëhen gjithnjë e më të prekshme. Por për të ecur përpara, nuk mjafton vetëm përpjekja individuale. Nevojitet një mënyrë e re e të bërit bujqësi: më e qëndrueshme, më efikase, më e lidhur me natyrën dhe tregun”.
Sipas saj, ndryshimet klimatike nuk janë më një kërcënim i largët, ato janë një realitet i përditshëm që po ndikon në jetesën e mijëra fermerëve në Shqipëri.
Pullumbi theksoi se përballë kësaj sfide zgjidhjet janë të qarta.
“Të ndërtojmë një bujqësi që mbron tokën, kursen burimet, përdor teknologjinë dhe garanton qëndrueshmëri për prodhuesit. Dhe kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht kosto më të larta, përkundrazi, shpesh do të thotë më pak shpenzime dhe më shumë siguri”, u shpreh ajo.
Shembull konkret, nënvizoi Pullumbi, është se një fermer që zëvendëson plehrat kimike me pleh organik dhe ndjek rotacionin e kulturave mund të ulë kostot me 20–30%. “Brenda dy sezonesh, përfiton jo vetëm një tokë më të shëndetshme, por edhe një produkt me cilësi më të lartë dhe më të kërkuar në treg”, u shpreh ajo.
Ajo shprehu angazhimin e FAO-s për të mbështetur bujqësinë në Shqipëri.
“Në FAO, jemi të përkushtuar të mbështesim këtë transformim përmes qasjeve praktike dhe të aksesueshme, si: Shkollat fushore për fermerët që ndihmojnë në përvetësimin e praktikave të qëndrueshme; Teknologjitë digjitale që përmirësojnë vendimmarrjen në fermë; Zgjidhje natyrore si kontrolli biologjik dhe menaxhimi i integruar i dëmtuesve; Analiza të zinxhirëve të vlerës që ndihmojnë fermerët të kuptojnë më mirë tregun dhe pozicionin e tyre në të”, tha Pullumbi.
Ajo vuri në dukje, se Shqipëria është duke përparuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Kjo rrugë kërkon përafrim me standardet evropiane në prodhim, siguri ushqimore dhe mbrojtje të mjedisit. Adaptimi ndaj këtyre standardeve nuk është thjesht një detyrim – është një mundësi për të përmirësuar cilësinë, konkurrueshmërinë dhe sigurinë e sistemit bujqësor. Por kjo nuk do të arrihet pa përfshirjen aktive të të gjithë aktorëve dhe mbi të gjitha, pa mbështetjen konkrete për ata fermerë që janë të gatshëm të ndryshojnë, por nuk duhet të përballen vetëm me këtë proces”, u shpreh Pullumbi.
Pullumbi deklaroi se, “në fund të ditës, bujqësia e qëndrueshme nuk është vetëm për mjedisin. Është për ekonominë vendase, për komunitetet rurale dhe për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë”.
Napoli luan nesër në transfertë kundër Leçes një sfidë që mund të rezultojë vendimtare në…
Konklava e vitit 2025 po afron dhe bashkë me të vëmendja e botës katolike është…
Mbreti i Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku…
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dëshiron të informojë publikun që sot po qarkullojnë online një seri…
Nga fshati Rrenc i njësisë Administrative Gur i zi, kandidati i PD-së, Ted Kopliku, kërkoi…
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, priti në zyrën e tij znj. Alijahaj, për t’u…
This website uses cookies.