Punë dore nga leshi i deles rudë, risitë dhe ruajtja e traditës
Punët e dorës nga shajaku janë një traditë e hershme e artizaneve dhe grave kuksiane, por rikthehen tashmë për të gjithë blerësit, të cilët duan këta punime të veçanta.
Lirie Kotarja thotë se punimin e leshit të deles rudë e ka mësuar nga nëna e saj. Sot krahas teknikës së vjetër të përpunimit të leshit ajo ka ndërthurur teknika të reja, duke siguruar kështu këtë material të rëndësishëm, nga ku nxjerr punimet e saj tradicionale.
Dikur nga leshi i deles rudë është punuar çdo gjë me vegjë, si sixhade, shoka, përparëse etj. Sot Lirija tregon se kanë arritur të krijojnë edhe aksesorë, zbukurime, dhurata me motive kombëtare.
Procesi pas larjes së leshit, përpunimit, ngjyrosjes vazhdon me krijimin e këtyre punimeve me gjilpërë. Blerësit më të shpeshtë janë emigrantët.
E sigurisht në një punishte artizanale të vogël nuk mund të mungojnë disa punime të veçanta, që janë ruajtur me fanatizëm për më shumë se 50 vjet.