Punëtorët e huaj, Musta: Shqipëria si trampolinë. Malaj: 5 mijë aplikime në 5 muaj
Gjatë viteve të fundit interesi i shtetasve të huaj për të punuar në Shqipëri është shtuar. Në emisionin “Jetë Shqiptare” eksperti i ekonomisë Eugen Musta u shpreh se nevoja për punëtorë, vjen për shkak se në Shqipëri ka mungesë për fuqi punëtore, kjo dhe për shkak të emigracionit të rritur vitet e fundit.
Por Musta theksoi se shtetasit e huaj, e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të shkuar në Evropë.
“Nevoja për punëtorë vjen sepse kemi mungesë për fuqi punëtore për shkak dhe të emigracionit kohët e fundit.
Kjo mungesë ndihet në industritë e punës fizike, turizmi dhe ndërtimi. Problemi në këtë rast është që ne nuk jemi konkurrues me pagat që ofrojmë dhe punëtorët që zgjedhin Shqipërinë e përdorin si trampolinë për t’u hedhur në Evropë.
Këta punëtorë për një kohë të shkurtër largohen, regjistrohen në zyrat e punës në Shqipëri dhe pas 2 muaj janë larguar.
Kjo është kosto e shtuar për tregun shqiptar sepse është kostoja e rekrutimit. 400 euro taksë për rekrutimin për një punonjës fasonerie. Dhe ushqimi e fjetja është kosto shtesë. Këta punëtorë nuk janë të kualifikuar mjaftueshëm sa kanë punonjësit vendas”, u shpreh Musta.
Rekrutuesi Sotir Malaj, u shpreh se interesi dhe nevoja e bizneseve shqiptare për krah pune dhe punonjës është shtuar. Kjo është arsyeja përse rekrutohen dhe punonjës të thjeshtë nga Turqia dhe Azia. Malaj shtoi se gjatë 2023-shit është shtuar numri i aplikimeve nga shtetasit e huaj, duke bërë me dije se janë 5 mijë aplikime gjatë pesë muajve të parë të vitit.
“Interesi dhe nevoja e bizneseve shqiptare për krah pune dhe punonjës. Për Shqipërinë ka shumë interes dhe kohët e fundit shumë aplikime janë bërë për punëtorë të huaj, ku pjesa më e madhe janë nga Turqia, Azia, Italia, më tepër për punonjës të thjeshtë. Punëtorët që vijnë janë të kualifikuar sipas nevojave që bizneset kërkojnë. 8 mijë aplikime vitin e kaluar. 5 mijë aplikime për 5 muaj e parë të 2023-shit. Sipas prishtmërive deri në fund të vitit do e kalojë shifrën e 8 mijë aplikimeve”, tha ai.