Punimet në bulevardin “Skënderbeu” – Beci: Ishte ndërhyrje e planifikuar, vjen pas rehabilimit të kolektorit

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër punimet në bulevardin “Skënderbeu” në qendër të qytetit.
Aktualisht, në këtë segment rrugor prej 1 km, po punohet një pjesë të segmentit që po riasfaltohet plotësisht.
Kryebashkiaku Beci, gjatë intervistës dhënë për mediat, u shpreh se kjo është një ndërhyrje e planifikuar që vjen pas ndërhyrjes së Bashkisë Shkodër dhe Ujësjellës Kanalizimeve për kolektorin në qendër të qytetit, që zgjidh njëherë e mirë problematikën e përmbytjeve në këtë zonë sa herë kishte reshje shiu.
Në fund të muajit Janar, Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike e Bashkisë Shkodër së bashku me ndërmarrjen e Ujësjellës kanalizime nisën punën për sistemimin e plotë të rrjetit nëntokësor të ujërave të shiut në këtë zonë e cila ishte kthyer në një problematikë prej vitesh.
Pas sistemimit të plotë të kësaj ndërhyrjeje, tashmë Bashkia Shkodër ka nisur riasfaltimin e plotë të të gjithë segmentit nga Sheshi “Demokracia” përgjatë të gjithë bulevardit “Skënderbeu”.