Putin paralajmëron Perëndimin, Kryeministri britanik: Rusia mund t’i japë fund luftës tani
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se Rusia mund të përfundojë luftën menjëherë. Dekalara e tij vjen pas paralajmërimit të Vladimir Putin se Moska do t’i konsideronte raketat perëndimore që hidheshin në Rusi si një përshkallëzim serioz të luftës.
Kryeministri ndodhet në Uashington për bisedime me presidentin amerikan Joe Biden, ndërsa aleatët e Kievit diskutojnë për t’i dhënë Ukrainës lejen për të gjuajtur raketat e tyre në objektivat brenda Rusisë.
Putin i tha televizionit shtetëror rus se kjo “nuk do të thoshte asgjë tjetër përveç pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s – SHBA dhe vendeve evropiane – në luftën në Ukrainë”.
“Është pjesëmarrja e tyre e drejtpërdrejtë. Dhe, sigurisht, kjo ndryshon thelbësisht vetë thelbin, natyrën e konfliktit. Nëse është kështu, ne do të marrim vendimet përkatëse bazuar në kërcënimet që do të na krijohen”, tha ai.
I pyetur për përgjigjen e tij ndaj komenteve në fluturimin për në Uashington, kryeministri pati një ton të fortë në mënyrë të përsëritur duke deklaruar se Rusia e kishte filluar luftën.