Putin paralajmëron vaksinë kundër kancerit, Shehu: Hidhet si fishekzjarr për propagandë
Lajmin e Presidentit rus, Vladimir Putin se shumë shpejt do të ketë një vaksinë kundër kancerit, mjeku Tritan Shehu e shikon me rezerva. Në një lidhje skype në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Shehu tha se nuk beson se mund të ketë një vaksinë universale kundër sëmundjeve tumorale pasi dhe ato janë të ndryshme për çdo person.
Shehu tha se ky lajm do të ishte më i besueshëm nëse do e thonin shkencëtarët, por në rastin kur e thotë presidenti ka më shumë nuancë politike për të hequr vëmendjen nga problemet e mëdha të vendit.
“Që ka një punë shumë intensive në botë me terapi të ndryshme për sëmundjet tumorale është një domosdoshmëri e madhe. Ka avancuar shumë çështja e kimioterapisë, radioterapisë, ku mortaliteti ndaj tumoreve është 30% dhe 70% është e shërueshme. Ka një garë për të fituar kohën kundër tumoreve. Rusia ka një histori të lavdishme të kërkimeve shkencore dhe është dalluar nga mendja të ndritura që i kanë dhënë zgjidhje problemeve të njerëzimit. Në lidhje me vaksinën unë e marr me rezerva për disa drejtime. E para nuk ka një vaksinë të veçantë për kancerin pasi tumoret janë të ndryshëm dhe kërkojnë forma të ndryshme trajtimi.
Nuk është një formulë e përgjithshme kundër të gjitha tumoreve dhe nuk mund të ketë. Dhe vaksina është një çështje e komplikuar pasi nuk mund të ketë një vaksinë universale kundër tumoreve. Problemi tjetër është se këto gjëra nuk njoftohen nga presidentët por nga shkencëtarët dhe kërkimet shkencore. Kjo u hodh si fishekzjarrë nga presidenti i një vendi më jep nuanca propagande për të hequr vëmendjen nga problemet e madhe të vendit. Do ta besoja po të kishte publikime shkencore dhe ta thoshte një shkencëtar, por mënyra se si bëhet kjo tregon se ka një nuancë politike,” tha Shehu.