Putin propozon rregulla të reja për përdorimin e armëve bërthamore
Vladimir Putin thotë se Rusia do të konsideronte një “sulm të përbashkët”, një sulm nga një shtet jo-bërthamor i mbështetur nga një i armatosur me armë bërthamore, i cili mund të interpretohet si një kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore në luftën në Ukrainë.
Agjencia e lajmeve BBC ka shkruan se, presidenti rus tha se administrata e tij po shqyrtonte ndryshimin e rregullave dhe kushteve rreth të cilave Rusia do të përdorte arsenalin e saj bërthamor. Ukraina është një shtet jo-bërthamor që merr mbështetje ushtarake nga SHBA dhe vende të tjera të armatosura bërthamore.
Komentet e tij vijnë pasi Kievi kërkon miratimin për të përdorur raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi kundër objekteve ushtarake në Rusi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky udhëtoi për në SHBA këtë javë dhe do të takohet me homologun amerikan, Joe Biden në Uashington të enjten, ku kërkesa e Kievit pritet të jetë në krye të agjendës.
Duke iu përgjigjur komenteve të Putinit, shefi i shtabit të Zelenskyt, Andriy Yermak, tha se Rusia “tani nuk ka asgjë tjetër përveç shantazhit bërthamor për të frikësuar botën”.
Putin ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore në të kaluarën. Ukraina e ka kritikuar atë si “kanosje bërthamore” për të penguar aleatët e saj që të ofrojnë mbështetje të mëtejshme.
Aleati i Rusisë, Kina, gjithashtu ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa ka raporte se presidenti Xi Jinping e ka paralajmëruar Putinin kundër përdorimit të armëve bërthamore.