Putin takohet me Kim Jong Un në Korenë e Veriut: Bashkë kundër Perëndimit
Presidenti Vladimir Putin ka mbërritur në Korenë e Veriut ku është takuar me Kim Jong Un teksa dy vendet kërkon të bashkëpunojnë ngushtë për të kapërcyer sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja përballë konfrontimeve të intensifikuara me Uashingtonin.
Putin u prit në aeroportin e Phenianit nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un. Ky është udhëtimi i parë i Putin në Korenë e Veriut në 24 vjet.
Putini tha se vendet do të vazhdojnë të “kundërshtojnë me vendosmëri” ato që ai i përshkroi si ambicie perëndimore “për të penguar vendosjen e një rendi botëror shumëpolar të bazuar në drejtësi, respekt të ndërsjellë për sovranitetin, duke marrë parasysh interesat e njëri-tjetrit”.
Vizita e Putinit vjen mes shqetësimeve në rritje për një marrëveshje armësh në të cilën Pheniani i siguron Moskës municionet e nevojshme për të nxitur luftën e Rusisë në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transferimeve të teknologjisë që do të rriste kërcënimin e paraqitur nga programi i armëve bërthamore dhe raketave të Kim.
Në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, rrugët u zbukuruan me portrete të Putinit dhe flamuj rusë.
Një pankartë në një ndërtesë thoshte: “Ne mirëpresim ngrohtësisht Presidentin e Federatës Ruse”.
Putin tha se Rusia dhe Koreja e Veriut do të zhvillojnë sisteme tregtare dhe pagesash “që nuk kontrollohen nga Perëndimi” dhe së bashku do të kundërshtojnë sanksionet kundër vendeve, të cilat ai i përshkroi si “kufizime të paligjshme dhe të njëanshme”.
Koreja e Veriut është nën sanksione të rënda ekonomike të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armët e saj bërthamore dhe programet e raketave, ndërsa Rusia po përballet gjithashtu me sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj perëndimorë për agresionin e saj në Ukrainë. Putin tha se vendet do të zgjerojnë gjithashtu bashkëpunimin në turizëm, kulturë dhe arsim.
Putin shoqërohet nga disa zyrtarë të lartë, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Denis Mantrurov, ministrin e Mbrojtjes Andrei Belousov dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, sipas këshilltarit të tij për politikën e jashtme, Yuri Ushakov. Ai tha se një numër dokumentesh do të nënshkruhen gjatë vizitës, duke përfshirë ndoshta marrëveshjen mbi partneritetin strategjik gjithëpërfshirës.
Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut thonë se shkëmbimet ushtarake, ekonomike dhe të tjera ndërmjet Koresë së Veriut dhe Rusisë janë rritur ndjeshëm që kur Kim u takua me Putinin në shtator në Lindjen e Largët Ruse, e para e tyre që nga viti 2019.