Pylli i Gështenjave të Reҫit, koha më e mirë për ta vizituar
Tashmë me vjeshtën vjen edhe koha e gështenjave. Bashkë me bukuritë e natyrës, vizitorët mund të marrin me vete edhe shijen e mirë të gështenjave në Pyllin i Gështenjave të Reҫit, një nga monumentet natyrore të Alpeve të Shqipërisë.
Reçi është një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit në Malësinë e Madhe, Ai shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes fshatrave Reç dhe Razmë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit solli pamje nga Reçi ndërsa vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bën këtë zonë ekoturistike vërtet mahnitëse për t’u vizituar.
Të dyja anët e rrugës, që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara me pemë, shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës.
Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht organizohet festa e madhe e Reçit bien në sy gështenjat e moçme rreth 500-vjeçare, të cilat janë të shenjta për banorët.
Gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi është kthyer në një trend për turizmin e fundjavës.