Qarku Shkodër zgjedh sekretaren e re, Stela Smajli zëvëndëson në këtë detyrë pas dorëheqjes Edita Shoshin
Këshilli i Qarkut Shkodër ka zhvilluar këtë të mërkurë një mbledhje jashtë rendit të ditës, pas kërkesës për dorëheqje të sekretares së këshillit, Edita Shoshi. Me miratimin e dorëheqjes së Shoshit, kryetari i Qarkut, Edmond Ndou ka propozuar në këtë detyrë, Stela Smajlin, që ishte kandidatja e vetme, e ardhur si propozim. Pas votimit të fshehtë, me 15 vota pro dhe 1 kundër, Smajli mori zyrtarisht detyrën e sekretares së Këshillit të Qarkut Shkodër. Ajo vjen nga një përvojë e mëparshme në fushën e mësuesisë, medias dhe menaxhimit e marketingut në turizëm. Ndërkohë, ish- sekretarja Edita Shoshi do të marrë një detyrë të re. Përmes një statusi në rrjetin social, pas përfundimit të mbledhjes së qarkut, kreu i këtij institucioni Ndou shkruan: Në mbledhjen e kësaj të mërkure të Këshillit të Qarkut Shkodër, miratuam dorëheqjen e sekretares së këshillit znj. Edita Shoshi dhe zgjodhëm pasuesen e saj në këtë detyrë, znj.Stela Smajli. Dua të falenderoj këshilltarët e pranishëm për votëbesimin e dhënë në këtë proces dhe për bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi. Me falenderimin për bashkëpunimin në këto muaj, i uroj Znj. Shoshi suksese në detyren e re që do marrë përsipër. Gjithashtu, mbarësi në këtë bashkëpunim, i uroj edhe sekretares së re znj.Stela Smajli. Këshilli i Qarkut Shkodër mbetet një institucion që do të vazhdojë të kontribuojë dhe bashkëpunojë me të gjitha bashkitë e qarkut, për të mirën e komunitetit.