Qazim Laçi, debutim ëndrrash në Champions

Debutim ëndrrash në Ligën e Kampioneve për Qazim Laçin. Mesfushori kuqezi i Spartës së Pragës, me një gjakftohtësi të jashtëzakonshme ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në debutimin e tij në kompeticionin më të rëndësishëm në rang klubesh, ndërsa skuadra e tij ka arritur të fitojë me rezultatin 3-0 përballë Salzburgut.
E nisi ndeshjen si titullar dhe arriti të shënojë në minutën e 58-të, lëvizje e zgjuar dhe topi në rrjetë për të firmosur 3-0. Më parë kishin shënuar Kairinen 2’ dhe Olatunji 42’.
Laçi u zëvendësua në minutën e 84-ët nga Lukas Sadilek. Nga lojtarët e tjerë shqiptarë, pjesë e Spartës, në minutën e 64-ët u aktivizua dhe Albion Rrahmani, ndërsa Ermal Krasniqi zbriti në fushë në minutën e 72-të. Indrit Tuci qëndroi në stol gjatë gjithë lojës.