Qëllohet me armë në drejtim të një makine, policia e Shkodrës bllokon një automjet të blinduar
Një ngjarje ka ndodhur në Shkodër teksa është qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Gent Larushku i cili nuk është plagosur duke i shpëtuar plumbave.Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30 të ditën se Premte, në zonën e Vinotekës në njësinë Rrethina të bashkisë Shkodër. Shtetasi Gent Larushku pretendon se është qëlluar nga një person që po lëvizte me biçikletë në një rrugicë në afërsi të banesës së tij. Ky shtetas arriti që t’ shpëtojë plumbave ndërsa dyshohet se automjeti i tij është qëlluar me një plumb në pjesën e pasme.Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet. Efektivët morën në pyetje shtetasin Gent Larushku i cili deklaroi versionin e tij të ngjarjes. Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë dhe për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë shërbimet e Policisë, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, shoqëruan në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, një automjet të blinduar. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi Safet Bajri banues në Dobraç, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent. Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor, si dhe u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Mercedes Benz” dhe do nisin procedurat e konfiskimit, njoftoi policia.