Qëllon me pushkë drejt një banese / Arrestohet nga “RENEA” autori i ngjarjes në Kurbin
Një 41-vjeçar ka qëlluar me pushkë në drejtim të një banese në Kurbin, duke rrezikuar kështu anëtarët e familjes që ishin brenda saj. Pas një sherri në lokal me një 60-vjeçar. 41-vjeçari Rasim Mihana ka shkuar në banesë, ka marrë pushkën dhe në mesnatë dhe ka qëlluar me armë drejt banesës.
Më pas , Mihana është larguar në zonën e pyllëzuar të fshatit Malbardhë, Kurbin, për t’u fshehur.
Si rezultat i kërkimeve dhe ndjekjes së kryer gjatë natës, pa ndërprerje, 41-vjeçari u arrestua në territorin e fshatit Malbardhë.
Gjithashtu, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pushkë, me të cilën qëlloi 41-vjeçari.
Ndërsa operacionin e përshëndeti edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla “Përgëzoj Forcat e Sigurisë Kombëtare, Forcat “RENEA” dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë për reagimin në kohë për parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale, si dhe për kapjen dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorit të ngjarjes.
Parandalimi dhe reagimi në kohë janë elemente kryesore të rritjes së parametrave të sigurisë”, shkroi Balla.
Ndaj 41-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.