Qendër emergjencash në letër / Projekti për kthimin ish-repartit ushtarak Rrenc mbeti premtim
5 vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor nisën përpjekjet për ngritjen e një qendre të përbashkët për menaxhimin e emergjencave civile, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë projekt ambicioz u zgjodh ish-reparti ushtarak në Rrenc të Gurit të Zi, i cili duket se po shkon drejt shkatërrimit të pakthyeshëm, e që do të rriste koston e ndërhyrjes për shtetin. Në janar të vitit 2017, në praninë e homologëve atë të Kosovës dhe Maqedonisë ish kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prenci, deklaroi se brenda harkut kohor të 4 viteve në këtë repart do të ngrihet Qendra rajonale e emergjencave civile me një investim prej 50 milion eurosh.
Ndërkohë, ish-Prefekti i Qarkut, Çesk Millja pati thënë se në bashkëpunim me Drejtorinë e Emergjencave Civile dhe strukturat e tjera përgjegjëse është duke u punuar mbi ligjin e emergjencave civile. Më pas, sipas tij, do të vijohej me procesin e mëtejshëm që kishte të bëjë me punën në terren për të nisur projektin e prezantuar nga ish-kreu i emegjencave civile të asaj kohe Shemsi Prenci. Por, pas prezantimit të atij projekti ky repart jo vetëm u la siç ishte pa mbrojtje, por po degradohet edhe më shumë për shkak se vijon marrja e tullave nga muret mbrojtëse dhe dëmtimi i mjedisit perreth me të gjitha format. Reparti ushtarak i Rrencit u braktis pas trazirave të dhunshme të vitit 1997 për t’u përdorur në vitin 2010 si qendër e përbashkët për strehimin e disa qindra familjeve banesat e të cilave u përmbytën nga reshjet dhe shkarkimet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit.