QENDRA SHENDETËSORE “NË PIKË TË HALLIT”/ Në Pjetroshan, Gradec dhe Vukpalaj të Malësisë së Madhe duhet ndërhyrë
Qendrat Shëndetësore në disa bashki të Qarkut të Shkodrës nuk i plotësojnë kushtet e duhura për të ofruar shërbimin ndaj qytetarëve. Në Bashkinë e Malësisë së Madhe në disa të tilla mungon shërbimi më elementar , ndërsa një pjesë janë të mbyllura dhe mjeku i zonës paraqitet një herë në javë. RTSH Shkodra bëri një vëzhgim të shkurtër në qendrat e fshatrave Pjetroshan, Gradec dhe Vukpalaj. Në atë të Pjetroshanit mungon uji, energjia elektrike në disa raste.
Banorë të zonës me të cilët komunikuam bënë të ditur se një situatë e tillë paraqitet prej vitesh.
Në kohën kur jemi në periudhë virozash banorët e fshatit Gradec kanë nëvojë për serume dhe gjilpëra, por janë të detyruar që të shkojnë në qendrën shëndetësore më të afërt pasi në fshat mjeku vjen një herë në javë dhe godina qendron e mbyllur
Banorët jashtë kameras thanë se këtu shërbimi ofrohet një herë në javë , ose ka raste edhe 1 herë në 10 ditë.
Ndërkohë , pamjet e Qendrës Shëndetësore të Vukpalajt janë dëshmi e qartë e përkujdesjes për këta banorë. Ajo qëndon e mbyllur, e harruar, nën mbretërinë e lagështirës dhe mykut. Godina tashmë është kthyer në të papërdorshme.
Si pasojë e kësaj situate të krijuar, banorët kanë mangësi në shërbimin mjekësor, pasi një mjek është i detyruar të mbulojë disa qendra.