Qendrat e emigrantëve në Shqipëri, UNHCR: Do monitorojmë! Na e kërkoi edhe qeveria italiane
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët do të monitorojë qendrat e emigrantëve që janë ngritur në Shqipëri , pas marrëveshjes që ka arritur me Italinë.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi tha se kjo është detyrë që rrjedh nga konventat për Refugjatët, por i është kërkuar gjithashtu edhe nga vetë Italia pas shumë kritikave që kanë ardhur lidhur me rrezikun që ekziston për shkeljen e të drejtave të azilkërkuesve.
“Qeveria na ka kërkuar të kontrollojmë nëse janë në përputhje me ligjin. Ne jemi gati të monitorojmë me transparencë dhe pavarësi absolute qendrat për emigrantët që Italia po përgatitet të hapë në Shqipëri. Besoj se qeveria na kërkoi ta kryejmë këtë funksion monitorimi pikërisht për këtë arsye. Dua të theksoj se ky është një funksion i parashikuar nga Konventa për Refugjatët në nenin 35 që parashikon rolin e mbikëqyrjes së Komisionerit të Lartë për Refugjatët për zbatimin e vetë Konventës dhe Italia, e cila e ka nënshkruar atë, duhet të respektojë rregullat e saj”, u shpreh Grandi.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët tha se do të diskutohet për metodat e realizimit të këtij roli monitorues që do të tregojë nëse çdo gjë është në përputhje me ligjin.
“Qeveria na ka kërkuar të verifikojmë që ky operacion shqiptar është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Unë do të mund të them nëse do të jetë në përputhje apo jo kur të bëhet operacioni dhe ne do ta kryejmë këtë rol, me Komisionerati i Fondeve të Veta të Komisionerit të Lartë, në pavarësi dhe transparencë absolute po diskutojmë edhe metodat e realizimit të këtij roli monitorues”, tha Grandi.
Sipas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë janë ngritur dy kampe për të pritur emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër, ku do të trajtohen kërkesat për azilkërkues në llogari të shtetit italian. Këto qendra do të menaxhohen nga stafi italian, të cilët janë udhëzuar që të kenë etikë dhe të bëjnë kujdes me sjelljen e tyre në raport me popullsinë vendase në zonën e kampit dhe vetë emigrantët, pasi do të jenë nën monitorimin e “syve të botës”.