Qershori, kulturë dhe sport, në Shkodër do të organizohen disa evente gjatë këtij muaji
Qershori është muaji që shënon fundin e pranverës dhe fillimin e verës. Në Shkodër pritet të jenë disa aktivitetet dhe evenimentet që pritet të mbahen përgjatë këtij muaji.
“Ekrani i Artit” për katër ditë me radhë nga 5 deri më 9 qershor zhvillon edicionin e tij të shtatë.Disa koncerte janë planifikuar në mjedise të hapura si ai i artistit Jolly Mare në kalanë “Rozafa” apo i tenorit me famë botërore Ramë Lahaj në Shirokë mbrëmjen e 8 qershorit.
Më 9 qershor parashikohet të mbahet një shfaqje teatrale muzikore me skenar të shkruar shqip “Kthehemi në shtëpi”.Si përherë tradita e festimit të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës do të ruhet edhe në këtë vit me koncertin dedikuar asaj me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike dhe artistëve të ftuar.
Të gjithë dashamirësit e muzikës do të bëjnë një udhëtim emocionues në botën e tingujve dhe virtuozitetit përmes “Albanian Guitar Festival” më 21 qershor.
“Fan Zone” do të jetë hapësira e konceptuar nga Bashkia Shkodër si një skenë koncertesh e njëkohësisht si një “mini stadium” për të shfaqur ndeshjet gjatë kampionatit europian të futbollit ku merr pjesë edhe kombëtarja.
Gjithashtu pjesë e festave të këtij muaji do të jetë edhe ajo e tavës së krapit duke sjellë vëmendjen tek kulinaria tradicionale e Shkodrës.