Categories: AktualitetLajme

Qeveria bën ndryshime ligjore, lidhur me personalitetet dhe objektet që do të ruhen e mbrohen nga Garda

Qeveria ka bërë disa ndryshime ligjore në lidhje me ruajtjen fizike të personaliteteve dhe të banesave të tyre, pas lënies së detyrës. Në ligjin që është aktualisht në fuqi “Për Gardën”, përcaktohet se Presidenti i Republikës, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 5 vjet. Në rast të ndërprerjes së mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 4 vjet. Në rast të ndërprerjes së mandatit, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë.

Kurse Kryeministri, pas mbarimit të mandatit qeverisës, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për 4 vjet. Në rast të ndërprerjes së detyrës përpara mandatit qeverisës, gëzon të drejtën e mbrojtjes personale për gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë.

Ndërhyrja që ka bërë qeveria në këtë ligj ka të bëjë me faktin se të drejtën për ruajtjen nga garda e kanë edhe personalitetet e tjera, pas përfundimit të detyrës, të cilët do të gëzojnë të drejtën e mbrojtjes personale kur u rrezikohet jeta ose shëndeti për shkak të detyrës që kanë kryer.

Ndërsa banesa e Presidentit të Republikës, e Kryetarit të Kuvendit dhe e Kryeministrit ruhen e mbrohen gjatë kohës së qëndrimit të tyre në detyrë.

Pas përfundimit të detyrës, ruajtja dhe mbrojtja e banesës bëhet për një periudhë 2-vjeçare. Në rast të përfundimit të mandatit ose të lirimit nga detyra para afatit, ruajtja dhe mbrojtja bëhet deri në gjysmën e kohës së qëndrimit në detyrë, por jo më shumë se 2 vjet.

Po e njëjta ruajtje e banesës do tu takojë edhe personaliteteve të tjera, pas përfundimit të detyrës, të cilët do të gëzojnë të drejtën për ruajtjen dhe mbrojtjen e banesës kur u rrezikohet jeta ose shëndeti i tyre, ose i familjes së tyre për shkak të detyrës që kanë kryer.

“Rregullat, procedura dhe kohëzgjatja e ruajtjes dhe e mbrojtjes së banesës dhe anës fizike do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”, thuhet në vendim.

Zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës

Në ndryshimet ligjore që janë bërë në ligjin “Për Gardën”, do të jetë ministri i Brendshëm ai që do ti propozojë Kryeministrit kandidatin për drejtor të përgjithshëm të Gardës së Republikës pas kryerjes së një procesi të konkurrimit të hapur, të bazuar në parimet e mundësive të barabarta, meritokracisë dhe mos diskriminimit.

Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e kandidatit për drejtor të përgjithshëm të Gardës së Republikës përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Drejtor i përgjithshëm i Gardës së Republikës mund të emërohet shtetasi shqiptar që në kohën e kandidimit përmbush kushtet si: a) të ketë vetëm shtetësinë shqiptare; b) të ketë zotësi të plotë për të vepruar; c) të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë; ç) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë për të kryer detyrën; d) të ketë përfunduar ciklin e dytë të arsimit të lartë në fushën e rendit ose sigurisë; dh) të ketë përvojë pune jo më pak se 10 vjet në fushën e rendit ose sigurisë; e) të mos jetë larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit; ë) të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; f) të mos ketë marrë cilësinë e të pandehurit për kryerjen e një vepre penale, ose ndaj tij të mos jetë marrë ndonjë masë e sigurimit personal; g) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.

Ndërsa e drejta e trajtimit me veshje civile për punonjësit do të përfitohet nëpërmjet kompensimit në vlerë monetare, në masën dhe sipas rregullave të përcaktuara me urdhër të ministrit.

Lista e personaliteteve dhe e objekteve që përfitojnë nga ndryshimet ligjore 

Prokurorin e Përgjithshëm;
Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
Kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare;
Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare;
Anëtarët e Këshillit të Ministrave;
Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
Kryetarin e Bashkisë së Tiranës;
Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
Kryetarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave;
Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve;
Kryetarin e komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë, vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri;
Pjesëtarët e familjeve, si: bashkëshorti, bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, të kryetarit të Kuvendit e të Kryeministrit, kur ka informacione nga strukturat ligjzbatuese se kërcënohet jeta e tyre.

Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron banesat ku jetojnë apo akomodohen dhe objektet ku ushtrojnë veprimtarinë edhe këto personalitete:

Banesat e zëvendëskryeministrit; ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë;
drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit; prokurorit të Përgjithshëm; ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Objektet ku ushtrojnë veprimtarinë: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit; Prokuroria e Përgjithshme.

Objektet ku zhvillojnë veprimtarinë dhe akomodohen personalitetet shtetërore, konkretisht:

Në Tiranë: vila nr.4, vila nr.30, vila nr.31, Pallati i Brigadave;
Në Dajt: vila nr.1, vila nr.2;
Në Durrës: vila nr.6, vila nr.13, vila nr.20, vila nr.23,vila nr.29;
Në Vlorë: vila nr.1,vila nr.2, vila nr.6, vila nr.9; vila Dhërmi;
Në Pogradec: vila nr.2, vila nr.3, vila nr.4, vila nr.5;
Në Shkodër: vila Velipojë.

Objekte të tjera në ruajtje janë:

Në Tiranë: Parku i Delegacioneve, Parku i Kryesisë së Kuvendit; Klinika qeveritare;
Në Kërrabë: vendkomanda e përgjithshme, për kohë të veçantë;
Në Linzë: objektet, ku ruhen e mbrohen rezervat, për kohë të veçantë;
Në Dajt: vendkomanda e përgjithshme, për kohë të veçantë.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Vllaznia kërkon fitoren ndaj Bylisit/Brdaric vlerëson kundërshtarin por shpreson tek marrja e tre pikëve

Në prag të sfidës së nesërme ku Vllaznia do të pres në “Loro Borici” ekipin…

6 hours ago

Subvencione për 2732 fermerë/Shimaj: Apel për 219 fermerë që nuk kanë sjellë dokumentacionet

Teksa ka përfunduar shqyrtimi i dokumentacionit dhe kontrollet në terren, në qarkun Shkodër po vijon…

6 hours ago

Sali Mani, rapsodi i lahutës dhe çiftelisë/Figura e spikatur e Malësisë u përkujtua me një dokumentar dhe libër

Figura e Artistit të Merituar Sali Mani, rapsodit të lahutës e çiftelisë, u përkujtua “in…

6 hours ago

Pedagogët e dalë në pension/Gjuraj: Mirënjohje për kontributin e tyre, hapësirë për pedagogë të rinj

5 Pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” kanë dalë në pension duke shpëputur marrëdhëniet me këtë…

6 hours ago

Kampionati Kombëtar i Boksit/Vllaznia, Tirana, Teuta, Flamurtari, Studenti, pretendentë për titull

Ka nisur mbrëmjen e së premtes Kampionati Kombëtar i boksit për vititn 2024, aktivitet që…

6 hours ago

Arti i muraleve në Shkodër/Qytetarët: Vendosja e tyre do ta bëjë këtë zonë më tërheqëse

Pas restaurimit të fasadave të pallateve në lagjen “Partizani” në Shkodër, pak ditë më parë…

6 hours ago

This website uses cookies.