Qeveria do të shtojë kategoritë përfituese të fishave të diabetit falas brenda vitit 2024
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha të shtunën se qeveria do të shtojë kategoritë përfituese të fishave të diabetit falas brenda vitit 2024.
“Lajmi i mirë është se po punojmë që brenda vitit 2024 të shtojmë kategoritë, të cilat do të përfitojnë fishat e diabetit falas”, shkruajti ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Aktualisht në Shqipëri janë 54 mijë të sëmurë me diabet që mbështeten nga qeveria dhe MSHMS për ndjekjen dhe ecurinë e sëmundjes.
Rimbursimi falas i fishave të diabetit mundësohet edhe për fëmijët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç, theksoi më tej Koçiu.
Ministrja nënvizoi se, me kontrollin mjekësor bazë falas mbështeten qytetarët e moshës 35 deri në 70 vjeç për diagnostikimin e hershëm të diabetit.