Qeveria e Kosovës zgjat afatin për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale deri më 1 dhjetor
Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 1 dhjetor të këtij viti.
Sipas Qeverisë, ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesës së madhe të shënuar së fundmi për regjistrim të automjeteve me targa RKS.
“Vendim i ri, po ashtu parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor 2022 zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, akt i cili rriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.