Rishikimi i parë i buxhetit për vitin 2023, të cilin Qeveria shqiptare e miratoi përmes një Akti Normativ, ka në fokusin e tij rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve publike, tha ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete në komisionin parlamentar të ekonomisë.
Kjo do të arrihet nëpërmjet rialokimit të kursimeve dhe të ardhurave shtesë drejt projekteve me ecuri pozitive, duke siguruar realizimin e objektivave makroekonomikë e fiskalë të përcaktuara në planin e miratuar të buxhetit fillestar 2023.
Sipas zotit Mete ky akt siguron:
Reflektimin e një rritjeje prej rreth 7.5 miliardë lekë të të ardhurave, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave tatimore për 9 mujorin 2023.
Rishpërndarjen e 45.8 miliardë lekëve mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korrente e kapitale, për mobilizimin e të gjithë planit të shpenzimeve publike për pjesën e mbetur të vitit 2023, veçanërisht përshpejtimin e projekteve me ecuri pozitive.
Ruajtjen të pandryshuar të defiçitit buxhetor, siç ishte parashikuar në buxhetin fillestar 2023. Ndërkohë që, borxhi publik reflekton uljen e financimit nga projektet e huaja dhe rritjen e financimit të instrumenteve të tjera financiare si Eurobond dhe mbështetje buxhetore me terma të buta.
Në vlerësimin e zotit Mete ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive dhe së fundmi kemi rishikuar për sipër projeksionet për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar.
Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti, tha ministri.
Në vlerësimin e tij sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi.
Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.
Sa i takon inflacionit, ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator 2023, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.
Konsolidimi fiskal do të vijojë të jetë objektiv, në funksion të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, tha zoti Mete.
Politika fiskale synon një trajektore rënëse të borxhit publik, duke planifikuar balanca primare pozitive prej vitit 2024 e në vijim, në përputhje edhe me rregullat fiskalë në Ligjin Organik të Buxhetit.
Sa i përket shpenzimeve, në Aktin Normativ, parashikohet rritje e shpenzimeve të përgjithshme, kundrejt rritjes së të ardhurave, në të njëjtën masë prej rreth +7.5 miliardë lekë, duke arritur nivelin 705.6 miliardë lekë.
Në mbyllje, ministri i fiancave dhe ekonomisë ritheksoi se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ, nuk prekin defiçitin buxhetor, i cili ruhet në nivelin e planit fillestar 2023, duke siguruar rënien e mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në.
Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është paditur për shpifja nga ish-drejtori i…
Sot ajo që njihet si shkalla e parë e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në…
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ish-ministri i Mbrojtjes, Joav Galant dhe lideri i Hamasit, Mohamed…
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani do të jetë mbrëmjen e së premtes…
Veprimtaria e Ceremonisë së Diplomimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” vijoi traditën e organizimit edhe këtë…
Fundvjeshta solli prurje të reja artistike në Shkodër. 15 artistë të qytetit si: Adnan Kastrati,…
This website uses cookies.