Qeveria sllovene dërgon në Parlament propozimin për njohjen e shtetit palestinez
Qeveria sllovene ka miratuar vendimin për të njohur një shtet të pavarur palestinez, duke ndjekur hapat e Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë.
“Sot qeveria ka vendosur të njohë Palestinën si një shtet të pavarur dhe sovran,” tha në një konferencë shtypi në Lubjanë kryeministri Robert Golob.
Vendimin e qeverisë duhet ta miratojë edhe parlamenti i vendit. Politikanët sllovenë do të votojnë të martën e ardhshme nëse do të njohin një shtet palestinez, tha kryetarja e parlamentit Urshka Klakoçar Zupançiç.
vendimi është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të vendeve për të koordinuar presionin ndaj Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Golob bëri thirrje gjithashtu për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve.
“Ky është mesazhi i paqes,” tha ai.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se ai shpresonte se politikanët sllovenë do të refuzonin njohjen e një shteti palestinez, duke thënë se një votë pro javën e ardhshme do të ishte një “shpërblim” për Hamasin.
“Vendimi i qeverisë sllovene për të rekomanduar që parlamenti slloven të njohë një shtet palestinez e shpërblen Hamasin. Shpresoj që parlamenti slloven ta refuzojë këtë rekomandim,” tha Katz në X.
Qeveria sllovene ngriti një flamur palestinez krahas flamujve të Sllovenisë dhe BE-së përpara ndërtesës së saj qendrore në Lubjanë.
Të martën, Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njohën zyrtarisht një shtet palestinez.