Ra në krye të detyrës përballë forcave serbe, në Tiranë mbahen homazhe për nder të Afrim Bunjakut

bunjaku respekt tr
Qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë për të nderuar efektivin e policisë së Kosovës Afrim Bunjaku i cili ra në krye të detyrës gjatë përplasjes me armë me grupet serbe mëngjesin e 24 shtatorit.
Ndërkaq, në homazhet e mbajtura në Prishtinë në nderim të Bunjakut presidentja Vjosa bëri të ditur se Bunjakut i jepet urdhri “Hero i Kosovës”
“Jemi mbledhur në këtë ceremoni mortore për të dhënë lamtumirën e fundit rreshterit Bunjaku. Prej sot ai është hero i Kosovës.
Ai ra në mbrojtje të rendit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Prandaj sot në emër të qytetarëve të Kosovës do ndaj urdhrin më të lartë të Republikës, Urdhrin “Hero i Kosovës” u shpreh Osmani.
Teksa sot u shpall ditë zie në Kosovë, Bunjakut iu dha lamtumira ku do të prehet në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa u përcoll me ceremoni shtetërore.
I pranishëm gjatë ceremonisë së varrimit, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova nuk do të bëjë kompromis me krimin dhe terrorin.
“Rënia në detyrë e rreshter, Afrim Bunjakut, i veshur në uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, drejtësi e të drejta për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim. Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”, tha Kurti.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur, ku për pasojë humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur u strehua në manastirin e Banjskës, ndërsa pati shkëmbime zjarri me Policinë e Kosovës për disa orë. Sipas autoriteteve të Kosovës, 4 sulmues humbën jetën, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar. Aktualisht, situata në veri paraqitet e qetë.