Radhë të gjata për pasaporta e patenta me mbishkrimin “Maqedoni e Veriut”, të detyrueshme nga 12 shkurti
Mijëra qytetarë maqedonas rrezikojnë të mos dalin dot nga vendi i tyre apo të mos kthehen në atdhe prej së hënës së 12 shkurtit, nëse pasaportat e tyre nuk kanë të printuar emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Në fundjavë, nëpër stacionet lokale të policisë kishte radhë të gjata qytetarësh që përpiqeshin të pajiseshin me dokumentet e reja të identifikimit.
Pasaportat e vjetra që nuk e kanë pjesën “e Veriut” do të mbeten përkohësisht të vlefshme vetëm brenda territorit maqedonas.
“Është fizikisht e pamundur që të nxirren të gjitha dokumentet brenda afatit. Problemi më i madh mbetet printimi dhe nxjerrja e pasaportave, proces që mund të lehtësohet vetëm përmes organizimit dhe menaxhimit më të mirë,” shprehet ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Pance Toskovski.
Me ritmin aktual prej 50 mijë pasaportash në muaj, ministri vlerëson se do i duhet një vit i tërë përtej afatit të tanishëm që procesi të përfundojë.
Dokumentet e reja me mbishkrimin “Maqedoni e Veriut” janë detyrim sipas Marrëveshjes së Prespës të lidhur me fqinjët grekë, për t’i dhënë fund dekadave me përplasje e bllokada për shkak të emrit Maqedoni, të cilin e pretendon edhe Greqia.
Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024, në përputhje me ndryshimet ligjore tashmë të miratuara, do të jenë të vlefshme vetëm patentat me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Gjithashtu paralajmërojmë se në rast të dëmtimit të shkaktuar nga një aksident i mundshëm trafiku, për shkak të patentës së pavlefshme të shoferit, qytetarët që nuk kanë patentë shoferi të vlefshme do të duhet të bartin pasojat e dëmtimit të mundshëm,” thuhet në njoftimin e MPB-së.