“Radojiçiq i lirë në Serbi”, deputetja britanike habitet që ende s’ka pasoja për Serbinë pas vrasjes së policit kosovar
Deputetja, Alisia Kens (Alicia Kearns), ligjvënësja britanike, ka ritheksuar faktin sesi akoma nuk ka pasoja për Beogradin edhe pas ngjarjes së 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit, aty ku mbet i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Ajo në platformën “X”, ka radhitur ngjarjet në Veri dhe lirimin e Radoiçiq dhe pas gjithë kësaj ka shprehur habi se si Kosova vazhdon të mbetet nën sanksionet e BE-së, ndërsa për Serbinë nuk ka pasoja.
“Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka pasoja për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, as rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s .Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, shkruan deputetja, Kearns.
Deputetja britanike, gjithmonë ka qenë e zëshme për sigurinë e Kosovës. Për disa muaj me radhë deputetja ka artikuluar se Serbia po fuste armatim përmes ambulancave në kishat ortodokse në veri të Kosovës.