“Rafineri me kapacitet 5 mln ton në vit”, Shehu: Nafta e Shpiragut, përfitim i madh ekonomik
“Shqipëria ka rezervë nafte 500 milionë ton dhe 500 milionë metër kub gaz, ndërkohë që duhet të ngrihet një rafineri me kapacitet 5 milionë ton në vit”. Deklarata vjen nga inxhinieri i naftës, profesor doktor Fatmir Shehu në një intervistë për SCAN TV.
Nndërsa ka vlerësuar Shpiragun për përfitimin ekonomik që do t’i sjellë vendit, ai ka këshilluar që industria e hidrokarbureve duhet të mbështetet financiarisht.
“Të ngrihet një rafineri jo më pak se 5 mln tonë në vit siç bën Greqia, Italia dhe vende të tjera. Ato marrin naftë bruto dhe e përpunojnë, ndaj dhe Shqipëria duhet të ndjekë këtë politikë. Ne kemi rezerva të mëdha nafte e gazi” sugjeroi inxhinieri Fatmir Shehu.
Ai tha se Shqipëria është një zonë naftë-gazmbajtëse ndaj duhet të vijojë investimet për shfrytëzimin e kësaj pasurie.
“Nafta ka fuqi ekonomike, të merr para në fillim, por ta kthen shumëfish. Shteti duhet të shtojë mbështetjen ndaj kësaj pasurie. N.q.s Shpiragun do ta kishin në atë kohë, brenda 3 viteve apo 4 maksimumi do ta kishim vënë në shfrytëzim. Është gabim i madh që është lënë në harresë për 20 vjet” tha profesor Shehu.
Inxhinieri Fatmir Shehu me një eksperiencë mbi 40-vjeçare në këtë fushë, ka thënë se ka patur zbulime interesante dhe se Shpiragu nuk ishte surprizë. Ai vlerëson edhe zbulimin në Cakran që e cilëson një vendburim kolosal, ndërkohë sipas tij Shqipëria ka energji termale të pashfrytëzuar.
( Sipas SCANTV )