Rama: Administrata Publike do të ketë rol vendimtar për integrimin e vendit në BE
Administrata Publike do të ketë rol kyç për integrimin e vendit në BE. Këtu e ka vënë theksin kryeministri, Edi Rama gjatë një konference e cila ka për qëllimin gjallërimin më të madh të rolit të Administratës Publike në të gjithë procesin integrues.
Sipas kreut të qeverisë, administrata publike është tashmë armata pararojë e betejës për anëtarësimin në BE dhe për jetësimin e vizionit Shqipëria 2030.
Rama theksoi se Administrata Publike nuk është si kombëtarja shqiptare e futbollit, pasi ajo vend që të fitojnë një ndeshje, duhet të fitojë të ardhmen e Shqipërisë.
‘Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë më parë mundësinë që ka sot, ku shteti është ai që u jep të gjithë qytetarëve mundësinë që të bashkëjetojnë në një rend ligjor të sigurt të mirëqeverisjen dhe të gëzojnë lirinë e konkurrencës me të drejtën e meritës. Bashkimit përfundimtar me familjen evropiane është sot një realitet konkret. Për ta realizuar këtë arritje historike, administrata publike është faktori kyç, i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm. Në këtë mënyrë do të përcaktohet edhe shpejtësia me të cilën Shqipëria do të hyjë në BE, por edhe cilësia e jetës demokratike e institucioneve funksionimit të shtetit dhe garancive për çdo individ në këtë vend. Nga çdokush varet një grimcë e tërësisë së punës së jashtëzakonshme që duhet të bëjë Shqipëria drejt BE-së.”, theksoi Rama.
Sipas tij, administrata duhet ta shohë veten si kombëtarja, pasi secili dhe secila që punon në administratë, janë pjesë e kësaj skuadre, bartin të njëjtin mision që bart çdo lojtar i ekipit tonë kombëtar.
“Por, në rast se ekipi jonë kombëtarja fiton ndeshje futbolli, kjo skuadër nuk do të fitojë as një ndeshje futbolli, as disa ndeshje futbolli, por kjo skuadër kombëtare do të fitojë të ardhmen e Shqipërisë.”, tha Rama
Kryeministri shprehu bindjen se falë Administratës Publike, vendi do të anëtarësohet më shpejt se vendet e tjera të rajonit në BE.
“Personalisht kam qenë i shqetësuar kur filloi procesi screening. Nuk e kam besuar që administrata jonë do të mund të nxirrte nga vetja një skuadër kombëtare aq të madhe, pasi të pafundme janë edhe pikat mbi të cilat procesi duhet të kalonte, si dhe do të na zbardhte faqen me superlativa në Bruksel. Nuk e kam besuar dhe e kam ndarë me zë të ulët edhe me disa bashkëpunëtorët që ky mund të jetë momenti ynë sepse mund të shfaqemi me dobësi që atje në Bruksel nuk i fsheh dot. Kam rënë pre e një pjese të perceptimit se administrata publike është një trup njerëzish parazitë, marrin rrogat dhe nuk bëjnë asgjë. Edhe unë kisha ndikimin nga ky perceptim. Fakti që procesi i prezantimit të thellë të Shqipërisë përmes 777 prezantimesh përfundoi me shpejtësi dhe me aq shumë habi në Bruksel për paraqitjen e skuadrës sonë kombëtare është siguria më e madhe i kemi të gjitha arsyet se sot mund të mbështetemi te kjo administrata.”, tha Rama.