Rama: Beogradi të distancohej nga grupi kriminal, BE të dënojë shpalljen e zisë kombëtare
“Beogradi duhet të ishte distancuar nga grupi kriminal që sulmoi me armë dhe i mori jetën policit Afrim Bunjaku”, kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur këtë të enjte (28 shtator) në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 24 shtator në Banjskë.
“Kam dalë për të shprehur shqetësimin tejet serioz si asnjëherë më parë në këto 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë të situatës në veriun e Kosovës.
E dëgjuam me shumë vëmendje dhe prononcimin e djeshëm të zëdhënësit të Bruskelit që tha se s’mund të ketë deklaratë tjetër pa pa rezultatet e hetimit.
Edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do ishte distancuar nga grupi kriminal dhe do kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur. Por fatkeqësisht në vend të hetimit të ngjarjes së provokuar nga grupi kriminal serb. Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare”, tha Rama.
Kryeministri i bëri thirrje edhe njëherë Bashkimit Evropian që të dënojë shpalljen e zisë kombëtare nga Serbia dhe nderimin nga Beogradi të grupit kriminal që terrorizoi veriun e Kosovës.
Ndërkaq, kreu i ekzekutivit bëri me dije se asnjë hetim i mundshëm nuk i ndryshon dot faktet e thjeshta për t’u klasifikuar si fakte në kundërshtim ekstrem me cdo parim demokratik dhe për t’u dënuar si të tilla nga BE.
“Çfarë hetimi pret BE-ja? Nga kush? nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë? Edhe me këtë do ishim dakord, po nuk e dëgjova zëdhënësin e BE ta thotë dhe nuk mendoj se BE-ja do i pranonte si të mirëqena rezultatet e hetimit nga Kosova.
Pavarësisht se forcat speciale të Kosovës shkuan për të parandaluar terrorin e iniciuar nga grupi kriminal serb? A mos po heton BE-ja në mënyrë të paanshme? As këtë nuk e dëgjova dhe nuk e di nëse BE-ja ka angazhuar ndonjë mekanizëm në këtë drejtim. Sikur ta dëgjojmë këtë do lehtësoheshim disi, por vetëm në këtë drejtim. Çfarë ne kërkuam në komunikimin me miqtë në Bruskel dhe çfarë kërkojmë sot, është dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të policisë në veriun e Kosovës nga një grup kriminal dhe gjithashtu dënimi i aktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve me uniforma ushtarake jo shtetërore dhe të armatosur që u shfaqën në Banjskë me gjuhën e armëve të rënda dhe u asgjësuan nga mbrojtësit e rendit kushtetues të Kosovës”, u shpreh më tej ai.