“Rama dhe Meloni kanë marrëdhënie shumë të mirë”, gazetari: Ja pse kryeministrja e Italisë kërkon votën e shqiptarëve
Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni do të vizitojë Shqipërinë më 5 qershor, në një kohë kur në vend po diskutohet jo vetëm emisioni i Rai 3 për Shqipërinë, por edhe marrëveshja për emigrantët mes Tiranës dhe Romës Zyrtare.
Meloni do e nis vizitën e saj pikërisht nga Shëngjini ku po përfundojnë punimet për ngritjen e kampit të emigrantëve, ndërsa më pas do të vijojë me aktivitete në Shqipëri lidhur me Javën e Kulturës Italiane.
Për gazetarin Ermal Peçi kjo vizitë e Melonit është simbolike, por gjithashtu edhe tregues i marrëdhënieve shumë të mira të saj me kryeministrin Rama.
Gazetari Peçi u shpreh se kjo vizitë duhet parë edhe në kuadër të fushatës së Melonit si eurodeputete, ku sipas tij ka kërkuar edhe votën e shqiptarëve.
“Meloni ka zgjedhur një datë simbolike ku në Shqipëri është edhe Java e Kulturës Italiane, por edhe se kohët e fundit ka pasur shumë diskutime lidhur me emisionin e Rai3 për Shqipërinë. Meloni ka nisur fushatën e saj për eurodeputete dhe shpesh herë kërkon edhe votën e shqiptarëve. Edhe vizita e Ramës në Milano pak javë më parë u mundua të jepte një mesazh mbështetës ndaj Melonit.
Të dy respektivisht kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Duhet të shohim edhe gjeopolitikën. NË kontekstin historik Italinë e kemi pasur më pranë nesh në krahasim me vendet e tjera. Lëshimi që Rama ka bërë në Shëngjin është një lloj marrëveshje mes tyre, ku ju na njihni pensionet, ne ju bëjmë lëshimin me kampet e emigrantëve në Shëngjin”, tha Peçi.