Rama i dorëzon medaljen e “Yllit të Mirënjohjes Publike” kampionit të karatesë Alvin Karaqi
Kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar kampionit të karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqit, medaljen e “Yllit të Mirënjohjes Publike”.
Në ceremoninë e nderimit, Kryeministri Rama ka deklaruar se Alvini përbën shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo.
Rama u shpreh se i lënë mjaft mbresa dashuria pasiononte e Alvinit për atdheun dhe Shqipërinë.
“Një kampion që ka një veçanti të madhe sepse ndërkohë që arrin të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë dhe sfidues ndërkombëtar në sportin e tij, është dhe një shërbëtor i përditshëm i palodhur i shëndetit të njerëzve si mjek në Zvicër.
Ai përbën një shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo që në rrugën e pasionit të vetë është i gatshëm të sakrifikojë dhe të angazhohet pavarësisht mundit dhe vështirësive.
Më ka bërë përshtypje dashuria e tij pasiononte për atdheun dhe të jetuarit të tij me flamurin kuq e zi si me një pjesë të vetes, si me lëkurën e tij të dytë”, tha Rama.