Rama: Kosova të dalë nga loja e “maces me miun” me Serbinë se do humbasë miqtë ndërkombëtarë
“Kosova të dalë nga loja “macja me miun” me Serbinë, pasi ajo i ka punët dhe detyrimet me ndërkombëtarët”, ishte mesazhi që kryeministri Edi Rama dha për Kosovën dhe në mënyrë të tërthortë për homologun e tij, Albin Kurti.
Duke folur gjatë punimeve të konferencës “Rugova dhe Perëndimi” në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Rama tha se Kosova nuk duhet të luaj me politikën e jashtme vetëm për sukses elektoral të brendshëm, por duhet të forcojë marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarët.
Rama shtoi se Kosova nuk duhet të bie pre e provokimeve të Serbisë, por të garojë me veten e saj për të arritur standardet për t’u integruar në BE dhe NATO.
“Sot ne jemi në një proces ku thellohet gjithmonë e më shumë dhe në një formë shqetësuese qasja e politikës së jashtme si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo patjetër që mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtarë. Nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë macja me miun në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej BE-së duke i thënë “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se s’kemi çfarë të flasim me Serbinë, ne jemi këtu për të folur me BE-në, për të përmbushur të gjitha detyrimet si Kosovë në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe për t’u afruar me ju”, pastaj se çfarë bën Serbia është punë e tyre. Ky konfrontimi macja me miun në tavolinë, mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë dhe për të dalë pas mbledhjes dhe për të thënë se sa fortë i qëndrova unë tjetrit, këto nuk çojnë asgjëkund dhe skam për ta kuptuar se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çdo detyrim që ka Kosova në raport me vetveten dhe standardet që kërkon të hyjë në NATO dhe BE me atë se çfarë bën Serbia.
Serbia mund të mos njohë kurrë Kosovën, por kjo nuk duhet të pengojë atë që të përparojë në një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar me të gjithë të tjerët. Kjo nuk është fantazi por e arritshme dhe do e nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme dhe shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. Ne jemi një popull i vogël dhe kemi dy shtete të vogla dhe nuk jemi kërthiza e botës. Kosova duhet t’i kthejë marrëdhëniet me miqtë tanë në një kapital për të ardhmen”, tha Rama.
Rama foli edhe për kohën kur Rugova ka mundur ta mposhtë Serbinë në tavolinë përmes diplomacisë.
“Rugova kuptoi se nuk mund të bënte politikë të brendshme me politikën e jashtme, por u ul si anëtarë i një ekipi uniteti, ku të gjithë ishin të barabartë dhe ajo ka qenë koha kur Kosova ka arritur sukseset e saj diplomatike dhe ka mundur Serbinë në tavolinë”, tha Rama.