Anëtarësimi i Shqipëtrisë në BE, është kryefjala e Kryeministrit, Edi Rama në prag të festave të fundvitit. Kryeministri Rama deklaroi të martën se Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, “atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.
“Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”, theksoi Rama.
Deklarata e kreut të qeverisë shqiptare u bë gjatë darkës tradicionale të fundvitit me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri. Rama theksoi në fjalën e tij se brenda kësaj dekade, “do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”.
Lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025, kryeministri siguroi se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik.
“Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do të zënë shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë”, theksoi kryeministri në fjalën e tij.
Sipas tij, këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Rama gjatë fjalës së tij në darkën e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri kishte një përgjigje edhe për ata që thonë se “ai fiton për shkak se opozita është e dobët”.
“Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet lart e poshtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”. Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi! Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes. Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirë përgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them! Për rrjedhojë, më lini të falënderoj sonte këtu edhe opozitën më të fortë dhe më lini t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra, edhe në emër të saj, që jeni këtu me ne në këtë mbrëmje të këndshme të përvitshme”, u shpreh kryeministri.
Rama: Shqipëria kremton aleancën dhe miqësinë e fortë me SHBA
Rama u shpreh sot se Shqipëria kremton aleancën dhe miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rama uroi që “viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi të reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.”
Po ashtu, kryeministri tha se “duam të jemi miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike”.
“Si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi po ashtu se do të donte që “karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë”.
“Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj”, uroi kryeministri.
Rajoni
Rama, në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, shprehu bindjen se “fati i rajonit të Ballkanit Perëndimor në këto kohë është në duart tona, si kurrë më parë”.
Kryeministri siguroi se “Shqipëria do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për integrimin duke nxitur paqen dhe duke bashkëpunuar përmes dialogut me këdo”.
“Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se mundësitë e sotme nuk janë të mirëqena dhe duhet të punojmë të gjithë së bashku që ato të mos zhduken, por të marrim maksimumin prej tyre”, u shpreh ai.
Rama tha se “ky është momenti ynë dhe është përgjegjësia jonë për të mos ta shkatërruar, por për të ndërtuar mbi të duke shfrytëzuar çdo hapësirë”.
“Po, sigurisht, nuk biem dakord për çdo gjë dhe kjo është normale. Madje, e kundërta e kësaj mund të ishte shqetësuese për një rajon, ku jo shumë kohë më parë as nuk uleshim bashkë jo që prej vitesh, po do guxoja të thoja prej dekadash. Ky është momenti ynë dhe është përgjegjësia jonë për të mos ta shkatërruar, por për të ndërtuar mbi të duke shfrytëzuar çdo hapësirë dhe çdo mundësi për ta shtrirë tregun tonë më larg dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më afër. Shqipëria do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për integrimin duke nxitur paqen dhe duke bashkëpunuar përmes dialogut me këdo”, shtoi ai.
Kryeministri citoi kardinalin Risheljë duke theksuar se “diplomacia është një shkencë që nuk resht kurrë së qeni art”.
“Si artist, do thosha se kufiri midis artit të madh e atij mediokër përcaktohet nga dallime të vogla, shpesh shumë të holla. Nga fjalët e kardinalit, theksoj nevojën për të vepruar me madhështi kur bëhet fjalë për detajet e vogla, që, në fund të fundit, mund të përbëjnë dallimin e madh midis së mirës, së keqes dhe të shëmtuarës në marrëdhëniet tona rajonale historikisht të ndërlikuara; mund të na çojnë përpara apo të na kthejnë pas sa hap e mbyll sytë.”, tha Rama.
Rama: Nuk ka zgjidhje me Hamasin
Shqipëria, deklaroi Rama, beson në mënyrë të palëkundur në zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë me dy shtete, ndërsa shprehu bindjen se asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk është e mundur sa kohë Hamasi është pjesë e tablosë.
“Shpresoj po ashtu me shpirt që viti i ri të sjellë paqen midis Izraelit dhe Palestinës, që do t’i japë fund vuajtjes se pambarimte të popullit në Gaza dhe, e po ashtu kalvarit tronditës të pengjeve që ende mbahen të burgosur në errësirën e bodrumeve mesjetare të Hamasit”, u shpreh ai.
“Të presësh paqe nën influencën e tyre do të ishte po aq naive sa të përpiqeshe të ndërtoje Europën e Pasluftës së Dytë Botërore përkrah batalioneve të SS-ve”, tha Rama.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i dënuar nga Apeli i GJKKO me 2 vjet e…
Filmi shqiptar "Yjet e së ardhmes" rrëmbeu dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit "COLiseum"…
“Nisja e madhe” e Xhiros së Italisë, e cila do të konsumohet me plot tri…
Mëngjesin e sotëm është mësuar se te Beshiktashi nuk ka më të ardhme asnjë lojtar…
Humbja e jetës së një 17-vjeçareje nga Durrësi me meningjit ka bërë që shumë prindër…
Këshilli i Ministrave pritet që të vendosë nëse do të miratojë një fond të përcaktuar…
This website uses cookies.