Rama ndan pamje nga lumi i Shalës, i mbushur me vizitorë
Parku natyror i luginës së Shalës edhe këtë sezon veror vijon të jetë ndër destinacionet që nuk mungojnë në itinerarin e turistëve vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi i Shalës gjatë kësaj fundjave, i mbushur me vizitorë dhe turistë, që shijojnë bukuritë natyrore dhe bëjnë plazh pranë tij.
I cilësuar nga turistët dhe mediet e ndryshme ndërkombëtare si Tajlanda shqiptare, lumi i Shalës tërheq çdo vit e më shumë vizitorë vendas e të huaj.
Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm vitet e fundit është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.
Aventurierët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.
Për të shkuar në lumin e Shalës duhet të udhëtoni me varkë përmes bukurive natyrore të liqenit të Komanit. Ndërkohë, shtimi i bujtinave dhe krijimi i infastrukturës së përshtatshme për pritjen e turistëve të shumtë në këtë destinacion ka rritur numrin e turistëve.