Rama: Në 113 vite shtet, PS e vetmja e vendosur në anën e drejtësisë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në 113 vite shtet, pas 33 viteve pluralizëm politik dhe 333 partive të krijuara, Partia Socialiste është e vetmja parti e vetëvendosur në anën e drejtësisë.
“Në 113 vjet shtet, pas 33 vjetëve pluralizëm politik dhe 333 partive të krijuara, ka vetëm një parti në Shqipëri jo vetëm është vetëvendosur në anën e drejtësisë, po edhe është vënë në dispozicion të drejtësisë, Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë thekson se Partia Socialiste ka zgjedhur të luftojë për pavarësimin dhe forcimin e drejtësisë. Rama tha se askush s’duhet të krijojë iluzion se ka një tjetër parti që të ketë aftësinë, kurajon e fuqinë për të fituar betejën për shtetbërjen evropiane të Shqipërisë.
“Sot që flasim në radhë të parë të gjithë ju dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje politike s’duhet ta heqin nga mendja, ndërkohë të gjithë duhet ta dëgjojnë se pas 113 vjetësh pavarësi në Shqipëri pas 33 vjetësh pluralizëm politik dhe pas krijimit të 333 partive në këtë vend, kjo parti është e vetmja në hapësirën e armikut historik të drejtësisë në Shqipëri, që pushteti politik që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush më parë.
Sepse ne kemi zgjedhur të luftojmë për pavarësimin dhe forcimin e drejtësisë duke u vetëvendosur jo vetëm në anën e drejtësisë përmes ushtrimit të pushtetit tonë si shumicë ligjvënëse po edhe në dispozicion të drejtësisë përmes tërheqjes sonë të plotë nga çdo kontroll politik i saj”, tha Rama.