Rama në Podkastin “Flasim”: Shqipëria, e para në rajon për Prokurimin Publik!
Në episodin 7 të sezonit 3 të Podkastit FLASIM, kryeministri Rama kishte të ftuar dy ekspertë të prokurimeve publike, për të biseduar për faktin se si ka ndryshuar pjesa e Prokurimit Publik, sidomos pas zyrtarizmit të negociatave me BE-në, ku Shqipëria u ul në tryezë me 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian për grup-kapitullin e parë “Themeloret”.
Reida Kashta, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, njëkohësisht edhe pjesë e skuadrës së negociatorëve për Prokurimin Publik dhe Jonaid Myzyri, drejtor i Komisionit të Prokurimit Publik, si pjesë e stacionit ku shkojnë të gjitha ankesat e operatorëve, ishin përballë kryeministrit për të folur për shumëçka rreth pjesës së prokurimeve.
“Për të gjitha që flasin për korrupsionin, për faktin që Shqipëria nuk bëhet, ne jemi në krye të rajonit për sa i përket standardeve të Prokurimeve Publike. Po ashtu, Shqipëria në pjesën e Prokurimit Publik në procesin e negociatave nuk ka piketa të ndërmjetme. Pra, ajo që kemi bërë për prokurimet e përafron Shqipërinë në mënyrë të besueshme me Bashkimin Europian. Por, për të qenë pjesë me të drejta të plota e Bashkimit Europian edhe në këtë proces të mëtejshëm kërkohet konsolidim i këtij niveli që konsiderohet i kënaqshëm në këtë fazë”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se i ka ftuar të dy ekspertët për një analizë të detajuar dhe shteruese për standardin e prokurimeve në vendin tonë, përtej “zhurmës” mediatike.
“Ju kam ftuar për interesin e publikut, për të kuptuar çfarë ka ndryshuar përtej zhurmës apo pjesës ku ka procese hetimore apo dyshime, akuza për shpërdorim të fondeve publike etj.”.
Rama iu referua një materiali përmbledhës në pjesën e asaj që ka ndryshuar në aspektin e Prokurimit Publik, një material i servirur nga të dy ekspertët Kashta dhe Myzyri, për të gjithë procesin e ndryshimit dhe standardizimit të prokurimeve në Shqipëri.
“Në kapitullin e Prokurimit Publik, Shqipëria cilësohet në nivel të lartë përafrimi me BE-në dhe është ndër të pakta fusha, me një nivel kaq tër lartë performance në fushën e Prokurimit Publik. Kjo do të thotë që në këtë fushë, raporti i Sigmës, për Ballkanin Perëndimor e klasifikon Shqipërinë në vendin e parë me një diferencë prej 10 pikësh nga vendi i dytë që është Mali i Zi, e pastaj me radhë Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova dhe në fund Bosnjë-Hercegovina me 55 pikë”, theksoi Rama.