Rama: Nga plani i BE përfiton Ballkani Perëndimor. Samit në Tiranë për Ukrainën, pjesë edhe Zelenski
Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë nga Shkupi pas Samitit të Ballkanit Perëndimor, u shpreh se nga plani i Bashkimit Evropian përfitojnë të gjitha vendet e rajonit.
Kryeministri u shpreh se në fokus mbetet integrimi në tregun e brendshëm europian.
“Ky format dhe këto kërkesa që ka sot BE nga të gjithë ne për të na dhënë mundësinë për të marrë shumë më tepër mbrapsht në aspektin ekonomik e financiar, flasin vetë që ne duhet të integrohemi brenda përbrenda rajonit që të jemi gati për të bërë një hap më tej në BE.
Nëse ne sot do kishim bërë të gjitha gjërat që mund të kishim bërë në kuadrin e Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmin e Ballkanit të Hapur, sot do ishim gati. Por s’jemi gati sepse kemi humbur kohë e kemi harxhuar energji duke u marrë me terminologji, gjëra që në fakt janë rezultat i mungesës së vizionit strategjik të përbashkët të të gjithë anëtarëve të komuniteti prej 6 vendesh dhe mungesa e dëshirës për të ndarë çështjet e brendshme me këtë çështje të madhe që është sa e brendshme aq dhe e përbashkët. BE e ka bërë të qartë se nëse nuk do jemi bashkë, atëherë kush do bëhet shkak do penalizohet, do penalizojë vetveten”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka komentuar edhe darkën e shtruar mbrëmjen e djeshme ku pjesëmarrës ishin liderët e BE-së dhe përfaqësues të BE-së, duke bërë me dije se politika dhe çështjet bilaterale ishin jashtë fokusit. Ai u shpreh se ishte hera e parë që ai ndodhej në një darkë së bashku me Kryeministrrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
“Është hera e parë që jam në një darkë së bashku me Albinin dhe presidentin Vuçiç dhe nuk më rezulton se ndodhi ndonjë gjë tjetër përveçse u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama bëri me dije se po përgatitet mbajtja e një Samiti në Tiranë për Ukrainën, ku prezent sikurse theksoi ai, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti Volodymyr Zelenski.
“Është e rëndësishme të them sot se po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën dhe do kemi të pranishëm Presidentin Zelensky, ndërkohë që paralelisht me të do përpiqemi që në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e sotëm dhe janë ata që do ndjekin këtë proces të KE-së dhe administratës amerikane”, u shpreh Kryeministri.