Rama nis vizitë 2-ditore në Madrid, takim me kryeministrin Sançez
Kryeministri Edi Rama ka nisur këtë të martë (23 janar) një vizitë zyrtare 2 dy ditore në Spanjë. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani bën me dije se kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar edhe një takim me homologun Pedro Sançez (Sanchez), por nuk bëhet ende me dije se çfarë është diskutuar mes tyre.
Rama shoqërohet në këtë vizitë nga Ministrja Mirela Kumbaro dhe kryetarët e bashkive Durrës, Lezhë, Sarandë dhe Gjirokastër.
Ndërkohë, ditën e nesërme, kryeministri do të marrë pjesë në Panairin ndërkombëtar të turizmit “FITUR 2024”, organizuar nën kujdesin e Mbreti Felipe VI të Spanjës.
Rama do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të lartë të sektorit të turizmit, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.
Shqipëria do të prezantojë në këtë ngjarje të rëndësishme për turizmin, modelin e saj të diversitetit turistik nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në harmoni me mjedisin. Nën sloganin “Albania, all you need is here”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.