Rama për Arabnews: Uroj që lidhja jonë me shtetet e Gjirit të bëhet gjithnjë e më e fortë
Në një intervistë për televizionin arab Asharq News, kryeministri Edi Rama vlerësoi vendet e ”Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit” (GCC), analizoi tensionet me Iranin dhe shprehu optimizëm për rrugën Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Rama shprehu admirim për liderët e Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera anëtare të GCC-së duke i përshkruar arritjet e tyre si “një burim frymëzimi”.
”Për sa i përket Arabisë Saudite dhe vendeve të GCC-së, ne kemi marrëdhënie shumë të forta me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe me Kuvajtin dhe shpresoj se ato do të bëhen edhe më të forta”, tha Rama, i cili është edhe piktor, publicist, ish-profesor universiteti dhe ish-basketbollist.
”Unë shoh me admirim atë që po ndodh atje, si në Emiratet e Bashkuara Arabe ashtu edhe në Arabinë Saudite, dhe i përgëzoj shumë liderët që po tregojnë vizion dhe po i ngrenë lart këto vende dhe po i bëjnë ato, në shumë mënyra, një frymëzim. Ne mund të mos pajtohemi për disa gjëra, por kjo nuk është arsye për të mos admiruar atë që ata po bëjnë dhe ne kemi shumë për të mësuar prej tyre. Dhe shpresoj që lidhja jonë të bëhet më e fortë”, theksoi Rama.
Ndryshe nga marrëdhëniet me vendet arabe, një vend i Lindjes së Mesme me të cilin marrëdhëniet mbeten të tensionuara është Irani. Shqipëria, anëtare e NATO-s, akuzoi Iranin për kryerjen e një sulmi kibernetik më 15 korrik të vitit të kaluar, i cili bllokoi përkohësisht disa shërbime dhe faqe interneti dixhitale të qeverisë shqiptare. Ditë më vonë, një sulm i dytë kibernetik goditi një nga sistemet kufitare të Shqipërisë.
Tirana u përgjigj duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe duke dëbuar stafin e ambasadës iraniane. Në atë kohë, Arabia Saudite dënoi sulmin kibernetik.
”Duhej të vepronim kundër Iranit sepse Irani po sillej brutalisht kundër nesh. Ata shënjestruan Shqipërinë me një sulm kibernetik shumë të egër. Pse? Sepse u dhamë strehë disa mijëra iranianëve, jo për ta bërë Shqipërinë një platformë politike kundër regjimit, por për t’u dhënë atyre strehim sepse jeta e tyre ishte në rrezik”, shtoi ai.
Rama i referohej anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, të njohur gjithashtu si MEK, të cilët e zhvendosën selinë e tyre nga Iraku në Shqipëri në vitin 2016.
“Ne jemi një vend që respektojmë jetën e njerëzve. Irani nuk e kuptoi mirë ose nuk e kuptoi fare dhe na sulmoi, kështu që na u desh të ndërprinim marrëdhëniet diplomatike dhe t’i dëbonim ata”, thekson kryeministri.
Rama u shfaq i sigurt gjatë intervistës se vendi i tij do të pranohet së shpejti në bllokun 27-anëtarësh të BE-së.
“Unë jam gjithmonë një optimist tragjik, nuk jam pesimist, por më duhet të them se për mua BE-ja është gjëja më magjepsëse në historinë e politikës botërore që ka krijuar njerëzimi”, theksoi ai.
“Një vizion për paqen dhe sigurinë dhe një veprim për të bashkuar vendet me një histori të gjatë lufte me njëri-tjetrin dhe për të vënë interesat e përbashkëta për të ardhmen mbi mënyrat e veçanta të shikimit të historisë. Dhe nga ana tjetër, BE-ja ka krijuar një përvojë të pabesueshme të funksionimit të shtetit, të funksionimit institucional, të ndarjes së vërtetë të pushteteve, të të drejtave, respektimit të njerëzve dhe barazisë para ligjit”, theksoi ai.
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në qershor 2014.
BE mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik 2022.
Që atëherë, Këshilli i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri ka vlerësuar përparimin e Tiranës në shtetin e së drejtës, veçanërisht reformat e saj gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe betejat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai megjithatë, bëri thirrje për përparim më të prekshëm në lirinë e shprehjes dhe forcimin e të drejtave pronësore.
“Më duhet të them se nuk ka kërkesa joreale nga BE. Ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe është shumë e rëndësishme të sigurohemi që të gjithë të kuptojnë se detyrat tona të shtëpisë nuk janë diçka që duhet të bëjmë për shkak të tyre apo për ta. Detyrat tona janë diçka që duhet të bëjmë për fëmijët tanë, për Shqipërinë e së nesërmes”, shton Rama.
Përveç Shqipërisë, janë edhe shtatë kandidatë të tjerë të njohur për anëtarësim në BE, përfshirë Turqinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Moldavinë, Ukrainën dhe Bosnje-Hercegovinën.
Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, megjithatë, nuk ka qenë e qetë, duke çuar në sugjerime për ngërç ose sabotim të qëllimshëm.
Muajt e fundit ka pasur spekulime se vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është vonuar për shkak të dyshimeve mbi popullsinë e saj kryesisht myslimane në një kontinent historikisht të krishterë, por Rama e hodhi poshtë këtë si një teori konspirative.
“Ne mund të kemi shumë myslimanë në vendin tonë dhe Zoti i bekoftë. Dhe ne kemi gjithashtu shumë të krishterë. Dhe ne gjithashtu kemi shumë ateistë. Por, gjëja e rëndësishme dhe ajo që na intereson më së shumti është se së pari ata janë të gjithë shqiptarë, janë të gjithë vëllezër e motra dhe nuk kemi pasur kurrë probleme fetare dhe nuk kemi pasur kurrë konflikte dhe kemi jetuar gjithmonë jetët tona së bashku. Dhe në vendin tonë është shumë e zakonshme që të krishterët të festojnë Ramazanin dhe myslimanët të festojnë Krishtlindjet. Kështu që unë do të thoja se jemi në një pozicion vërtet të mirë dhe nuk ka vend për teori konspirative”, theksoi Rama duke përgëzuar këtë tolerancë fetare.
“Së dyti, unë e di se në Evropë nuk ka gjithmonë, le të themi, një mënyrë të lehtë për të pranuar myslimanët. Dhe ndonjëherë ka, për fat të keq dhe për turp, një zë këtu, një zë atje, një parti këtu, një parti atje, që e thotë pa turp. Por, në përgjithësi, BE-ja nuk është një vend ku myslimanët shihen si rrezik apo problem. Ata janë më tepër të mirëpritur dhe të integruar”, theksoi ai.
Vetoja e Bullgarisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE ka ngecur progresin e Shqipërisë sepse blloku i trajton të dyja vendet si pjesë të një pakete të vetme pranimi.
Megjithatë, rruga u pastrua përfundimisht në korrik të vitit të kaluar.
Rama tha se çdo sugjerim që Bullgaria, një anëtare e BE që nga viti 2007, synon të vendosë pengesa të mëtejshme për anëtarësimin e Shqipërisë do të ishte lajm për të.
“Jo, kjo nuk është diçka e vërtetë, mendoj. Ose të paktën nëse kjo është e vërtetë, është hera e parë që dëgjoj për të, dhe do të isha shumë, shumë i befasuar. Por ne kemi një marrëdhënie shumë miqësore me Bullgarinë dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Kemi pasur disa debate në të kaluarën, jo për Shqipërinë por për Maqedoninë e Veriut, që është fqinji ynë i dashur. Por jo, Bullgaria nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë për të kënaqur Rusinë dhe për të vënë veton ndaj integrimit të Shqipërisë në BE”, shprehet i sigurtë kryeministri Rama.
Po kështu, Rama tha se sheh pak shanse që Greqia anëtare e BE-së të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pavarësisht mosmarrëveshjeve të së shkuarës.
“Greqia ka qenë e mirë me ne, ka mbështetur procesin tonë të integrimit. Dhe janë qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë të integruar, punojnë atje. Dhe ka shumë grekë që vijnë këtu për turizëm. Pra, ne jemi vende vëllezër”, thekson Rama në një analizë mbi marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
Ndërsa Shqipëria synon lidhje më të ngushta me Evropën, lojtarë të tjerë të fuqishëm, duke përfshirë Kinën, Turqinë dhe Rusinë, kanë hyrë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk do t’i fusja të tre në të njëjtin kosh, sepse janë tre aktorë të ndryshëm me arsye të ndryshme dhe gjithashtu dëshira të ndryshme në afrimin e Ballkanit apo zonave të tjera”, tha Rama.
Një shtet komunist nga viti 1946 deri në vitin 1991, Shqipëria u nda nga Bashkimi Sovjetik në fund të viteve 1950 pas denoncimit që Nikita Hrushovit i bëri Stalinit, të cilin lideri shqiptar në atë kohë, Enver Hoxha, e konsideroi një largim nga parimet ideologjike të komunizmit.
Rama tha se marrëdhëniet strategjike me Rusinë nuk i shërbenin interesave të Ballkanit asokohe dhe nuk i shërbejnë sot, siç tregohet nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
“Rusia e zbuloi plotësisht veten duke sulmuar brutalisht Ukrainën në dekadën e tretë të shekullit XXI, në pragun e BE-së, duke investuar në një luftë, duke vrarë njerëz dhe duke e zbuluar veten në një mënyrë vërtet tronditëse. Është një pamje krejtësisht imperialiste e botës. Ajo që Rusia dëshiron në rajon është e lehtë për t’u kuptuar dhe ne nuk jemi të interesuar të kemi asnjë lloj marrëdhënie thelbësore me Rusinë për shkak të historisë sonë, për mirë apo për keq. Sigurisht që nuk është e njëjta Rusi tani. Por nuk është shumë ndryshe dhe kështu nuk na intereson. Ata e kuptuan gjithashtu, me kalimin e kohës, se Shqipëria nuk është një fushë ku të mbillet fara e ndarjes me Evropën, me Perëndimin”, shtoi Rama.
”Në kundështim me pikpamjet ruse, Shqipëria i dha përparësi lidhjeve me vendet perëndimore. Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj komunitetit euroatlantik, sepse historia na ka dhënë disa mësime shumë të rëndësishme”, përfundoi ai.