Rama për “La Stampa” : “Marrëveshja me Romën nuk ka të bëjë me anëtarësimin në Union”

Ndërsa anija e parë e emigrantëve nga Italia mbërrin të mërkurën në portin e Shëngjinit, kryeministri shqiptar Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”. Ai ka deklaruar se marrëveshja me Italinë do të garantojë një mekanizëm të sigurt dhe në përputhje me procedurat dhe se ajo nuk ka të bëjë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

I pyetur se çfarë përshtypje të bën një varkë plot me emigrantë nga Italia, që zbarkon në bregdetin shqiptar, ai përgjigjet:

“Asnjë ndryshim në krahasim me atë që kam pasur prej vitesh kur shikoj mbërritjet në Lampedusa apo gjetkë në TV. Njerëz në kërkim të një jete të re, të cilët ndoshta ua kanë paguar shtrenjtë trafikantëve çmimin e një udhëtimi të rrezikshëm. Ata janë qenie njerëzore që duhet të mirëpriten, të regjistrohen dhe të vendosen në qendrat e pritjes të ndërtuara sipas standardeve të BE-së dhe më pas të kalojnë procesin procedural të kërkimit të azilit në Itali në kushte të sigurta dhe korrekte nga pikëpamja humanitare. E gjithë puna që do të kryhet nga autoritetet italiane”, tha zoti Rama.

Fillimisht qendra në Shqipëri do të ketë shumë pak emigrantë, rreth pesëmbëdhjetë. Sipas zotit Rama duhet të verifikojmë nëse funksionon “modeli i Shqipërisë”.  Keni frikë se është një dështim? Është pyetja e “La Stampas“.

“Unë thashë: Çdo model i ri duhet të testohet. Nuk shoh asgjë për t’u frikësuar, ndoshta edhe sepse ne nuk jemi të përfshirë në realizueshmërinë e këtij operacioni, që e përsëris është mbi supet e shtetit italian” tha kryeministri shqiptar.

Kryeministri Rama kujton për “La Stampa” se Shqipëria ka shumë vite që bashkëpunon me Italinë në shumë nivele për sigurinë, luftën kundër trafikimit dhe krimit dhe drejtësinë. “Ne kemi ndodhur të bashkëpunojmë edhe në territorin tonë kur ka pasur situata krize shumë të rënda në vitet nëntëdhjetë, apo kohët e fundit kur zjarrfikësit tuaj kanë ardhur të parët pas tërmetit të tmerrshëm të dimrit të pesë viteve më parë për të shpëtuar jetën e shqiptarëve, duke rrezikuar të tyren”, tha kryeministri Rama.

Sipas “ La Stampas” e cila i referohet protokollit të përbashkët brenda 90 ditëve”, Italia do të duhet të kreditojë shumën prej 16.5 milionë euro në llogarinë e posaçme të thesarit të krijuar posaçërisht nga qeveria shqiptare. Më pas janë 100 milionë në fondin e garancisë, të cilat Roma duhet t’i paguajë.

I pyteur nga “La Stampa” mbi refuzimin e refugjatët nga Berlini në Shqipëri, zoti Rama tha : “Nuk e di nëse modeli mund të përsëritet: Nuk shoh një marrëdhënie tjetër afërsie dhe miqësie midis një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi kandidat, si midis Shqipërisë dhe Italisë, që janë si një çift de facto. Do të shohim!”.

A mund të jetë pranimi i qendrave të emigrantëve një nga kushtet për anëtarësim në BE, siç dëshiron Orban? Ishte pyetja tjetër e “La Stampa”-s për kryeministrin shqiptar.

“Kjo nuk ka asnjë lidhje me të!. Kushdo që e lidh këtë histori bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë me rrugën e anëtarësimit tonë në BE, nuk e njeh procesin e anëtarësimit” tha zoti Rama. Kryeministri shqiptar u shpreh se “ Është një proces reformash dhe masash, për të miratuar një sistem legjislativ dhe për të ndërtuar një strukturë të tërë institucionale brenda organit legjislativ të Bashkimit Evropian, i njohur si “acquis communautaire”. Dhe BE thjesht nuk mund të bëjë dhurata apo shantazhe të kësaj natyre për të lehtësuar ose parandaluar pranimin në një shtet kandidat” tha kryeministri shqiptar.

I pytur se sa kohë do të duhet para se Shqipëria të anëtarësohet në BE? Kryeministri shqiptar Edi Rama u përgjigj:

“Unë nuk kam një top kristal dhe as nuk di të lexoj llumin e kafesë turke. Asnjë shpirt i gjallë nuk mund ta japë këtë përgjigje sot. Ajo që di me siguri është se Shqipëria do të ketë ngjitur gjithë malin para fundit të kësaj dekade dhe do të trokasë kokë më kokë në derën e Këshillit Europian. Pastaj, atje, 27 prej tyre do të duhet të bien dakord për të na ulur, dhe për këtë çështje nuk është kurrë një ide e mirë të bëjmë parashikime për kalendarin.” tha kryeministri shqiptar  Edi Rama.

Marrë me shkurtime nga “La Stampa”

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.