Rama: Projekt për rilindjen e shkollës profesionale “Arben Broci” në Shkodër

Shkolla profesionale “Arben Broci” në Shkodër është një ndër godinat arsimore e cila do të rindërtohet me mbështetjen e buxhetit të shtetit.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje se si është aktualisht kjo shkollë dhe si do të transformohet pas rindërtimit.
“Projekti i rilindjes së shkollës profesionale “Arben Broci” në Shkodër është pjesë e një zinxhiri veprash të reja arsimore në mbështetje të ambicies sonë për Arsimin Profesional për Shqipërinë 2030”, u shpreh Rama.
Kjo shkollë, e ndërtuar në vitin 1968 do të kthehet në një shkollë me standarde bashkëkohore.
Me mbi 396 nxënës që ndjekin studimet në drejtime si Shërbimet e mjeteve të transportit, Mekanikë, Elektroteknikë, Termohidraulikë dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK) janë baza nga do të zhvillohet edhe në Shkodër një fidanishte e re moderne e dijeve profesionale.
Përmes Aktit Normativ të Qeverisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, siguroi fondin e investimit për 10 shkolla profesionale dhe 2 qendra të formimit profesional.